Lajme

Heqja e tabelave me alfabet cirilik në Veri, Szunyog: S’u interpretua pozitivisht Ligji për Përdorimin e Gjuhëve


Heqja e tabelave me alfabet cirilik në Veri

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka reaguar pas aksionit të autoriteteve kosovare për largimin e të gjitha shenjave serbe të komunikacionit të cilat janë shkruar në alfabetin cirilik në komunat të banuara me shumicë serbe.

Diplomati çek u ka bërë thirrje autoriteteve kosovare që ta zbatojnë procesin vetëm pas konsultimit me Komisionerin e Gjuhëve dhe duke interpretuar pozitivisht Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve.

“Kjo do të thotë të merren parasysh komunitetet e prekura”, ka shkruar Szunyog në platformën sociale, X.

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, kishte bërët të ditur se tabelat në gjuhën serbe po zëvendësohen me shenjat zyrtare të vendbanimeve sipas ligjeve të Kosovë.

Mirëpo vetëm një ditë pas vendosjes së tabelave me emërtimet e vendbanimeve me shumicë serbe në komunat veriore në gjuhën shqipe, të njëjtat ishin dëmtuar.

Me shumë se gjysma e tabelave ishin ngjyrosur gjatë natës nga persona të panjohur.

Në shumicën prej tyre ishte ngjyrosur vetëm pjesa ku emri i vendbanimit shkruhej shqip.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore