Haziri për pushtetin: Po na vjedhin dritën, bukën e kripën

Haziri ritheksoj se “ata që e kundërshtuan e s’e deshën Republikën e 17 shkurtit, sot po e udhëheqin në izolim deri në falementim”.
SHFLETO

Lutfi Haziri

 

Dini Fetahu
28.09.2024 21:25
Loading Icons...

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka thënë se pushteti i Lëvizjes Vetëvendosje, po “e vjedhë dritën, bukën e kripën”.

Këto komente, Haziri i ka bërë përmes një postimi në Facebook të titulluar “‘Era shtet’ – Kur të vidhet drita, buka e kripa”, duke iu referuar disa prej aferave të kësaj qeverie, si ajo e Martin Berishajt, rezervave shtetërore e së fundmi ajo me ushqimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Haziri tha se Serbia ka punuar shumë në ofensivë diplomatike në disa shtete të oqeanit pacifik dhe nëpër skaje të botës për të tërhequr njohjet e Kosovës, derisa rikujtoi që kryeministri Albin Kurti ka refuzuar zbatimin e marrëveshjes që ndalonte këtë.

“Marrëveshjen e Uashingtonit, e cila e ndalonte fushatën e Serbisë për tërheqjen e njohjeve, Qeveria Kurti nuk e zbatoi, por na e sollën marrëveshjen e Ohrit Kurti-Vuçiç”, shkroi Haziri.

Mirëpo, sipas tij, tashmë s’ka nevojë të parandalohet Serbia në atë fushatë, “sepse punën e tyre po e bëjnë Kurti dhe ministrat e tij”.

“Çka me pritë prej tyre që shesin energji përmes GEN-it serb, vjedhin rezervat shtetërore e së fundmi, tentojnë me vjedhë edhe pasulin e FSK-së?!”, pyeti numri dy i LDK-së.

A po kuptoni, pyeti ai, “dritën, bukën e kripën po na e vjedhin”. “Maxhen e popullit”, shtoi.

“Kjo hajni ka emër se njëmend nuk do ndodhur deri sot. Nuk do t’ia falin sepse e propagandonin të kundërtën në kohën e mbledhjes së votave, praptonin realitete se veç me ta do të vie ‘era shtet’. Por, po kundërmon erë hajnie!”, pohoi.

Në fund, Haziri ritheksoj se “ata që e kundërshtuan e s’e deshën Republikën e 17 shkurtit, sot po e udhëheqin në izolim deri në falementim”.