Haziri ndryshon mendje, rikandidon për Gjilanin

SHFLETO

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri

 

Blerta Ismajli
17.07.2021 12:22
Loading Icons...

Për të katërtën herë synon ta fitojë garën për të parin e Gjilanit, kryetari i tanishëm, Lutfi Haziri.

Kryesia e Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), në Gjilan në mbledhjen e mbajtur të shtunën, ka votuar unanimisht që Lutfi Haziri të jetë kandidati i këtij subjekti politik për zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

Madje, Haziri përveç faktit që mori besimin e degës, nuk ka pasur asnjë kundër kandidat.

Pas besimit të dhënë nga strukturat e LDK-së, Lutfi Haziri, ka shkruar në rrjetin social Facebook, duke thënë se bashkimi dhe uniteti është ajo që LDK-në e identifikon në Gjilan.

“Bashkimi dhe uniteti është ajo që LDK’në në Gjilan e identifikon dhe sa herë që kemi qenë bashkë, fitorja ka qenë e madhe – në formë plebishitare, për ta bërë Gjilanin tonë vend të jetueshëm e me dinjitet, ashtu siç edhe e kemi bërë dhe jam krenar për këtë. Të bashkuar, duke e ruajtur njëri-tjetrin si familje, ne do të arrijmë ta ruajmë shtëpinë tonë politike”, ka shkruar Haziri.

Sipas tij, qyteti i Gjilanit në vitet ardhshme do të ketë një pamje tjetër.

“Gjilani do të kthehet në një qendër politike, administrative, universitare, ashtu siç i ka hije, edhe në kuptimin urban. Këto katër vjet do të marrë pamje krejt tjetër dhe ky nuk është vetëm vizion i imi, por edhe i të gjithë juve që keni marrë pjesë në debat”, ka shkruar Haziri.

Me tej, ka thënë “dekada e ardhshme Gjilanin e pret me një gjeneratë të artë, e cila është e gatshme t’i fitojë zgjedhjet vetë”, ka shkruar Haziri.

Kryetari i Komunës së Gjilanit nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, përfundimisht e kishte ndarë mendjen që të mos garonte sërish për kreun e kësaj komune.

Haziri, që është nënkryetar i LDK-së, kishte thënë për Albanian Post se nuk ka interesim edhe për një mandat, dhe se do të hap rrugën për një kandidat tjetër, por kjo nuk ndodhi.

“Nuk jam i interesuar për edhe një mandat dhe hapi rrugë për emrin konsesual në parti dhe emrin fitues i zgjedhjeve”, kishte thënë Haziri.

Pas përfundimit të luftës në gusht të vitit 1999, Lutfi Haziri u zgjodh nënkryetar i Komunës së Gjilanit.

Në zgjedhjet e para të pas luftës në vitin 2000 ai e fitoi garën për kryetar të Gjilanit, ndërsa në karrigen e kryetarit qëndroi katër vite, deri në dhjetor të vitit 2004.

Në zgjedhjet e vitit 2013 kishte arritur të fitonte 25 mijë e 703 vota apo 59.99 për qind të votave.

Haziri në vitin 2013 ishte në balotazh me kandidatin e Partisë Demokratike të Kosovës, Qemajl Mustafa.

Në zgjedhjet e vitit 2017 sërish shkoi në balotazh ku ishte në garë me kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshin.

Ai sërish e kishte fituar garën duke e siguruar edhe mandatin e tretë si Kryetar i Komunës së Gjilanit me 21 mijë e 261 vota apo 63.81 për qind.