Lajme

Haziri, Muhaxhiri, Hoxha e Haradinaj reflektojnë mbi letrën e diplomatit perëndimor: Qeveria të veprojë sa më shpejt – s’ka kohë për hapa mbrapa


Foto nga Albanian Post

Pasi ka lexuar letrën e hapur të diplomatit ndërkombëtar publikuar në Albanian Post, ku theksohet situata kritike në procesin e dialogut dhe nevoja urgjente për Qeverinë e Kosovës që të dal me një propozim konkret për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, nën-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, veçse është bindur edhe më shumë në atë që paraprakisht ishte i sigurt.

“Çdo vonesë drejt ofrimit të një draft statutit sipas marrëveshjes, Kosova rrezikon që të ketë vetëm një dokument në tavolinë merre ose leje, por edhe rrezikon shumë të arritura deri tash”, thotë Haziri në një prononcim për Albanian Post.

Në letrën e publikuar nga AP, diplomati thekson faktin se Qeveria e Kosovës duhet të ofrojë një kornizë funksionale për të akomoduar, si vazhdimësinë e shërbimeve për komunitetin serb ashtu edhe tranzicionin e ngadalshëm të tyre në sistemin e Kosovës.

Qeveria e Kosovës, përkundër kësaj pritje, nuk po del me një draft-statut konkret dhe Haziri nuk e kupton pse.

“Nuk po shoh që është kalkulim, por është një hap mbrapa nga marrëveshja e 27 shkurtit”, thotë Haziri, duke shtuar se megjithatë, jo vetëm ai, por “të gjithë ata e që e kanë përcjell zotërinë Kurti e dinë që hapin para e përcjellë me dy hapa mbrapa”.

Lutfi Haziri

Sipas burimeve të Albanian Post, në rast se Qeveria e Kosovës nuk propozon një model të vetin për Asociacionin, duke qëndruar fuqishëm prapa tij, shumë shpejt Miroslav Lajçak dhe Josep Borrell mund të çimentojnë një model tërësisht të pafavorshëm për Kosovën, të bazuar në modele që nuk mund të akomodohen brenda kornizës kushtetuese të Kosovës.

Këtë frikë ka edhe Haziri.

“Qeveria po rrezikon që procesi të degjenerojë me diçka që e shkel marrëveshjen e vitit 2013 dhe parimet e marrëveshjes të vitit 2013 dhe Gjykatën Kushtetuese dhe letrën e zonjës Mogerini (letra që garanton se Asociacioni s’do ketë kompetenca ekzekutive)”.

Madje, ish-kryetari i Gjilanit dhe ministri që udhëhoqi procesin e decentralizimit dikur, thotë se “Kosova veçse ka ndërmarr një rrezik të tillë me lejimin që ekipi i përbashkët për menaxhim ta propozojë një draft dokument i cili në 64 nene nuk e përmend Kosovën as si termë”.

Në letrën e publikuar ekskluzivisht në Albanian Post thuhet edhe se “asnjë qeveri perëndimore nuk mund të përshihet (të paktën jo zyrtarisht) dhe të angazhojë resurse për të prodhuar një statut”.

Kjo është krejt e kuptueshme edhe për profesorin dhe njohësin e zhvillimeve politike, Abit Hoxha.

“Unë edhe më herët kam thanë që Kosova duhet t’i paraprij proceseve ne vend se të reagojë ndaj zhvillimeve”, thotë ai për AP-në.

Hoxha është më së i sigurt se “me vonimin e implementimit të Asociacionit, Kosova rrezikon një imponim nga jashtë”.

“Kjo praktikë është tanimë e ditur për Kosovën”, deklaron ai, prandaj “edhe propozimi për Asociacionin duhet të vije nga Kosova dhe jo nga Serbia”.

Abit Hoxha

Diplomati ndërkombëtar që iu drejtua publikut në Kosovë përmes letrës së publikuar në AP, në një vend shkruan se në komunitetin ndërkombëtar është krijuar bindja “sikur udhëheqësit e Kosovës po na thonë që ata e kanë më të lehtë të thonë, ‘askush nuk na pyeti për këtë’, në vend që të marrin përgjegjësinë dhe të prezantojnë një propozim”.

Por, për Artan Muhaxhirin, sociolog dhe analist politik, kjo lloj qasje është sjellja e natyrshme që kanë politikanët në Kosovë e në përgjithësi në Ballkan.

“Ata kanë qasje pasive, orientimet strategjike dhe oraret implementuese i presin të vijnë nga diplomacia amerikane e evropiane, kurse pastaj i aplikojnë diskurset populiste për t’i mjegulluar realizimet dhe kompromiset para shoqërive respektive”, deklaron Muhaxhiri për Albanian Post.

Këtë lloj manovrimi politik – të dëmshëm patjetër – Muhaxhiri e quan “taktikë e vonesave”.

Ky lloj operimi në politikë, për Muhaxhirin, është “i shpeshtë dhe i planifikuar” si në Prishtinë ashtu edhe në Beograd.

Por, thekson se tashmë është bërë krejtësisht e qartë se ndërkombëtarët nuk do të lejojnë që “Ohri 1.0 të shndërrohet në Bruksel 2.0.”.

“Qasja amerikano-evropiane do të jetë e superpushtetshme, precize dhe kontekstuale. Shpërblimet për avancuesit dhe stigmatizimet për stagnuesit do të jenë shumënivelore dhe ardhmërindikuese”.

Artan Muhaxhiri

Një qasje ndryshe për gjithë situatën e ka ish-ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj.

Ajo beson se përkundër presionit Qeveria s’është se po bën keq që po refuzon të vije me një draft.

“Refuzimi i kësaj qeverie për të propozuar një draI-statut (gjë që edhe nuk është në kompetencën e saj sipas marrëveshjes së vitit 2015 ku autorizohet Ekipi Menaxhues) nuk duhet të shihet si mungesë guximi, por më shumë si kalkulim politik për të blerë kohë duke shpenzuar mandatin qeverisës pa bërë veprime në këtë drejtim”.

Haradinaj refuzon të racionalizojë mbi kërkesën ndërkombëtare në raport me investimin e tyre në proces dhe thotë se “kjo qeveri (ndryshe nga të kaluarat) nuk ka mandat që të hedh hapa vendimtarë për të implementuar një marrëveshje të dëmshme me Asociacionin dhe Kishën brenda”.

“Këtë fundja ia kanë borxh votuesve, qytetarëve, dhe shtetit të Kosovës. E aq më pak të veprohet në këtë drejtim pa unitet politik, e pa koordinim me opozitën”.

Meliza Haradinaj

Albanian Post, të hënën, publikoi një letër të shkruar nga një diplomat i lartë perëndimor, i vendosur thellë brenda procesit të normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Në këtë letër, sugjerohet nevoja për një debat të mirëfilltë të brendshëm në Kosovë rreth hapave që duhet të ndërmerren sa i përket themelimit të Asociacionit.

Ky diplomat sugjeron që procesi ka arritur në një pikë kritike. Sipas tij, bashkësia ndërkombëtare ka disa pritshmëri të caktuara në lidhje me këtë proces dhe ato tashmë janë çimentuar. Dhe, sipas tij, Qeveria e Kosovës e di fare mirë se cilat janë ato pritshmëri. Në këtë letër, në mënyrë telegrafike, listohen dhe shpjegohen këto pritshmëri.

Diplomati po ashtu tregon që, për momentin, miqtë e Kosovës janë duke e kërkuar një model që akomodon pritshmëritë ndërkombëtare, por që njëkohësisht qëndron tërësisht brenda kornizës kushtetuese të Kosovës. Sipas këtij diplomati, kjo gjë është e nënkuptuar edhe në marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015. Megjithatë, ky diplomat tërheq vërejtjen që nëse Kosova nuk propozon një model të vetin, atëherë procesi mund të devijojë. Sipas tij, qëndrimi në vendnumëro mund të krijojë situatën ku bashkësia ndërkombëtare mund të detyrohet të kërkojë zgjidhje jashtë kushtetutës.

Në fund të letrës, ky diplomat e kritikon qasjen e qeverisë ndaj procesit dhe kërkon seriozitet dhe përkushtim. Ai po ashtu e tërheq vërejtjen që me pranimin e Marrëveshjes Bazë, edhe Qeveria Kurti tashmë është pjesë e obligimeve dhe subjekt i pritshmërive ndërkombëtare ndaj Kosovës.

Sipas burimeve të Albanian Post, në rast se Qeveria e Kosovës nuk propozon një model të vetin për Asociacionin, duke qëndruar fuqishëm prapa tij, shumë shpejt Miroslav Lajçak dhe Josep Borrell mund të çimentojnë një model tërësisht të pafavorshëm për Kosovën, të bazuar në modele që nuk mund të akomodohen brenda kornizës kushtetuese të Kosovës.

Letra ekskluzive e diplomatit ndërkombëtar: Nëse Kosova nuk e propozon vetë Statutin e Asociacionit, ndërmjetësit mund të kërkojnë zgjidhje jashtë Kushtetutës

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore