Lajme

Haziri kritikon qeverisjen e LVV-së në Gjilan: Po shkaktoni frikësim tek investitorët


Lutfi Haziri

Kryetari i degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjilan, Lutfi Haziri, përmes një postimi në rrjetin e tij social në Facebook, ka kritikuar qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Gjilanit.

Sipas tij qeverisja lokale në këtë komunë ka shkaktuar pakënaqësi dhe frikësim tek investitorët.

“Tendenca e revidimit, rishikimit dhe anulimit e kësaj administrate që udhëhiqet nga LVV-së, është logjikë e mbrapshtë”, ka shkruar fillimisht ai.

Ai ka kritikuar Komunën e Gjilanit për ngecjet që kanë ndodhur në Planin Zhvillimor Komunal, i miratuar në shtatorin e vitit 2021.

“Asnjë hap nuk është lëvizur drejt zbatimit të detyrës së dytë. Zonimi ka impakt kryesor në përfshirjen e investitorëve banorëve dhe të gjithë të interesuarve se si do të duket lagjja, ambienti, pamja dhe e ardhmja e tyre”.

I vetmi zhvillim që ka ndodhur, sipas tij, është tendenca për ta anuluar Planin Zhvillimor Komunal i cili nga dy Ministritë e linjës është cilësuar si jo e ligjshme.

“Kjo tendencë e Komunës ka vazhduar fatkeqësisht me hapa të gabuar, duke vazhduar ta shkelin ligjin e duke shkaktuar edhe më shumë humbje të paarsyeshme dhe kokëfortësi, që për pasojë, ka shkaktuar pakënaqësi dhe frikësim tek shumë investitorë, ndërsa ardhja e tyre për të investuar as nuk vjen në shprehje me këtë ambient”.

Sipas tij qeverisja aktuale e komunës mund të vonojë Planin në fjalë, Hartën Zonale dhe projektet e tjera, por asnjë t’i ndalë.

“Projektet e Gjilanit që i sollëm ne me shumë punë e angazhim, nuk do të lejojmë t’i trajtoni si projekte të huaja. LDK është gardiane e mbrojtjes së projekteve që i lamë të gatshme e të buxhetuara”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore