Lajme

Haziri: Aleatët s’i besojnë më Kurtit në deklarime, kërkojnë veprime


Lutfi Haziri

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka thënë se aleatët e Kosovës nuk po e besojnë kryeministrin Albin Kurti, në atë se çfarë deklaron.

Këto komente, Haziri i bëri në një intervistë për “ABCnews Albania”, duke folur për takimet që kanë mbajtur këtë të mërkure ambasadorët evropianë me Kurtin dhe presidenten Vjosa Osmani, ku njëra nga çështjet që është diskutuar ka qenë edhe ajo për ndalimin e dinarit serb në territorin e Kosovës – që është kundërshtuar nga ndërkombëtarët për formën se si është marrë vendimi.

“Kurti, në emër të Kosovës, duhet të veprojë. Nuk besohet më në deklarime, nuk besohet më në asnjë lloj lojë fjalësh, sepse duhen veprime konkrete, rezultate të prekshme në Kosovë”, tha Haziri.

“Serbisë i është njohur veprimi që ka bërë lidhur me njohjen e targave RKS, zbatimin e marrëveshjes për energji… përkundër se ende raporti me sulmin terrorist, ende ka mbetur çështje raporti, apo zbardhjes së raportit”, shtoi.

Fatkeqësisht, vlerësoi nënkryetari i LDK-së, ka pasur zhvillime, siç është mbledhja e Këshillit të Sigurisë në OKB – që është thirrur nga Serbia – dhe “për herë të parë pas 25 viteve të plota, Serbia ka arritur suksesshëm të organizojë një takim të KS, për shkak se partnerët e Kosovës nuk e bllokuan me veto”.

“Tani, LDK-ja e ka bërë të qartë qëndrimin e saj. LDK ka kërkuar që kryeministri t’i zbatojë obligimet ndërkombëtare dhe të sillet si burrështetas karshi kësaj gjendje dhe të mos vazhdojë që për konsum të brendshëm politik të mbulojë mosreagimin institucional”.

Haziri deklaroi se pas këtij viti në Kosovë priteshin “ndryshime të mëdha”, por nga ajo cka ai ka vërejtur nga takimet me ndërkombëtare, ka qenë që Kosova duhet “ta mbajë fjalën”, e cila, sipas tij, nuk është bërë nga pala kosovare.

“Kosova ka prodhuar lajme të këqija dhe politika të këqija”, pohoi ndër të tjera numri dy i LDK-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore