Haxhiu viziton gruan e plagosur në Fushë Kosovë: Dorasi kishte disa raste për dhunë në familje – por ishte liruar nga Gjykata
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka vizituar në Qendrën Klinike Universitare (QKUK), gruan e cila u plagos të martën në Fushë-Kosovë, derisa ka theksuar se dorasi ishte recidivist dhe kishte ushtruar edhe më herët dhunë ndaj gruas.
“Dorasi ka pasur disa raste të raportuara të dhunës në familje. Pak orë më përpara kishte qenë në mbajtje për dhunë në familje dhe ishte liruar nga gjykata kinse ka probleme shëndetësore”, ka thënë Haxhiu para gazetarëve.
“Një lajm shumë i rëndë për neve si shoqëri por edhe për institucionet, sidomos për mua si Ministre e Drejtësisë. Sigurisht që i gëzohemi lajmit që gruaja e plagosur dje është mirë me shëndet”, shtoi.
Haxhiu, ka kërkuar që këto raste të trajtohen me seriozitet të madh dhe të mos përsëriten më dhe ka shtuar se “secili institucion duhet ta kryej me përgjegjësinë e saj në mandatin që ka”.
“Ajo që është e rëndësishme është që gruaja është në gjendje stabile. Uroj që sa më parë të dal nga këtu dhe të ketë jetë të gjatë me fëmijët e saj”, potencoi e para e MD-së.
Gruaja e cila dyshohet se është plagosur me armë zjarri mëngjesin e së martës në fshatin Bresje të Fushë-Kosovës, ka marr lëndime të rënda trupore.
Lidhur me këtë rast, Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji, I.A që dyshohet se plagosi bashkëshorten e tij.
Sipas njoftimit të Gjykatës, ai akuzohet për tri vepra penale “Vrasje e rëndë në tentativë”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Mospërfillja e gjykatës”.
Gjykata ka vlerësuar se caktimi i masës së paraburgimit është masë adekuate dhe e domosdoshme “sepse nëse i pandehuri gjendet në liri, i njëjti mund të ikë dhe të arratiset, kjo për faktin se për këtë vepër penale për të cilën dyshohet i pandehuri, dënimi i paraparë përfshinë dënim me burgim afatgjatë, ekziston edhe rreziku i ndikimit në të dëmtuarën dhe në dëshmitarë për ndryshimin e provave, si dhe përsëritja e veprave penale”.
Ky nuk është rasti i vetëm që gratë plagosen apo vriten. Më 12 prill të këtij viti, gruaja që mbeti e vrarë në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj, dyshohet se është vrarë nga ish-bashkëshorti i saj.
Më 29 nëntor kishte ndodhur edhe një vrasje e një gruaje në Prishtinë – Liridona Ademaj, për të cilën i dyshuari kryesor për planifikimin e vrasjes së saj ishte bashkëshorti i saj Naim Murseli dhe dorasi Granit Plava.
Më pas u arrestua edhe Kushtrim Kokalla si pjesëmarrës në krim. Nga viti 2010 në Kosovë janë raportuar 51 gra të vrara nga bashkëshortët e tyre.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.comLajmet kryesore
-
Sigurim shëndetësor dhe jetësor për policët – as këtë premtim s’e mbajti Albin Kurti
-
Shefat e Mbrojtjes në iniciativën SHBA-Karta e Atlantikut me deklaratë: Qëllimi kryesor është integrimi i Evropës Juglindore në NATO
-
Shpërthejnë sërish radiot e Hezbollahut
-
Mashtroi në Parlament se numri po bie – Prejse Arben Vitia është ministër, nga Kosova janë larguar 531 mjekë