Lajme

Haxhiu: Vendimi ndaj Krivaqës dhe Sejdiut gjykim i drejtë për krimin mizor


Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka quajtur “gjykim të drejtë” vendimin për burgim të përjetshëm për Dardan Krivaqën dhe 15 vjet burgim për Arbër Sejdiun për vrasjen e Marigona Osmanit.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, Haxhiu ka thënë se vrasja e saj është prej krimeve më mizore në vitet e fundit.

“Gjykata Themelore në Ferizaj shqiptoi dënimin maksimal ndaj një prej krimeve më mizore të shkaktuara viteve të fundit, dhunës deri në vdekje ndaj Marigona Osmanit nga krimineli Dardan Krivaça dhe bashkëpunëtori në krim, Arbër Sejdiu. Ndërgjegjja kolektive mbase mund të jetë më e qetë kur drejtësia në emër të popullit, vihet siç duhet”, ka shkruar Haxhiu.

Ministrja ka thënë se drejtësia ndaj rasteve të dhunës e vrasjeve të grave duhet të jetë në nivelin më të lartë profesional.

“Duke shqiptuar dënimet më meritore, të pa ndikuara dhe të pa ngarkuara nga mendime provinciale e patriarkale siç kemi parë në të kaluarën”.

Gjykata në Ferizaj, Dardan Krivaqën, e ka dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Marigona Osmanit.

Kurse, Arbër Sejdiu është dënuar me 15 vjet burgim.

Familjarët e Osmanit mirëpriten vendimin me duartrokitje ndërsa deklaruan, “bravo për këtë qen, i mjerë”, në momentin kur gjykatësi shpalli vendimin për Krivaçën.

Duke dalë nga seanca nëna e Marigona Osmanit iu drejtua Krivaçës duke i thënë, “ishalla kurrë dritë nuk sheh, ma ke mbytë vajzën 18 vjeç”.

Krivaqa nga Gjykata është liruar nga akuza për veprën “dhunim”, ndërsa Sejdiu është liruar nga aktakuza për veprën “ndihmë në kryerjen e veprës penale dhumini”, pasi sipas gjykatës “me asnjë provë të vetëm nuk është vërtetuar se ka kryer vepër penale”.

Sipas aktakuzës, është përshkruar se në intervale kohore nga ora 10:56 deri në orën 14:43, i pandehuri i parë kishte marrë një shkop, e së bashku me të pandehurin e dytë kishin hyrë në dhomë dhe kishin filluar ta godasin tani të ndjerën në pjesë të ndryshme të trupit, me ç’rast të njëjtës i kanë shkaktuar dhimbje të mëdha fizike dhe psiqike.

Ndërsa vdekja është shkaktuar drejtpërdrejt nga asfiksia mekanike, si dhe shoku hemorragjik dhe traumatik, të cilat janë pasojë e gjakderdhjes së jashtme dhe gjakderdhjes së brendshme, nga thyerja e ashtit të nofullës së poshtme, thyerja e brinjëve, klavikulës së majtë, unazave të qafës, gjakderdhjes epidurale dhe subdurale në pjesën e pasme të trurit të madh dhe në trurin e vogël, këputje parciale të palcës së kurrit në qafë.

Të njëjtën e dërgojnë në Spitalin e Përgjithshëm – Qendrën Emergjente në Ferizaj dhe largohen nga aty.

Dardan Krivaqa dënohet me burgim të përjetshëm për vrasjen e Marigona Osmanit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore