Lajme

Haxhiu: Skandale, hajni e korrupsion në shëndetësi për 3 vjet, Kurti të jep llogari


Bekim Haxhiu

Në seancën e Kuvendit të Kosovës, ku po diskutohet propozim-rezoluta për gjendjen e shëndetësisë dhe sigurimet shëndetësore, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës dhe kryeministrin, Albin Kurti, për degradim të sektorit të shëndetësisë.

Në vlerësimin e tij, kryeministri Kurti do të duhej të jepte përgjegjësi për fushën e shëndetësisë jo vetëm si kryeministër, por edhe si kryetari i Komitetit Ekzekutiv për Shëndetësisë.

“Kurti sot do të duhej të jepte llogari për degradimin e sistemit shëndetësor, pabarazisë e pakënaqësive të pacientëve e të profesionistëve shëndetësorë. Skandale e hajni, korrupsion e keqpërdorime në shëndetësi pa dhënë askush llogari”, ka potencuar Haxhiu.

Për 3 vjet Qeveria e Kosovës, sipas Haxhiut, nuk ka arritur të përmbushë asnjë nga zotimet e saj për shëndetësi.

“Kishte premtuar reformim të sektorit të shëndetësisë, ndërsa për tre vjet kemi degradim.  Kishte premtuar zhvillim të sistemit shëndetësor, ndërsa ne po shohim keqpërdorim e as zhvillim. Për 3 vjet nuk ka qenë në gjendje për të shkruar një Strategji për Shëndetësi”, ka pohuar ai.

Haxhiu në fjalimin e tij ka dhënë edhe disa shembuj se si Qeveria e Kosovës për këto 3 vjet ka degraduar sektorin shëndetësor.

“Mjekimi intensiv qendror ishte inauguruar në vitin 2019 me 32 shtretër dhe aparatura për kujdes ndaj pacientëve, sot në funksion janë vetëm 21 shtretër, reduktim i kapaciteteve që dërgon në përfitim të klinikave private, sepse një natë për kujdes intensiv kushton 1 mijë euro”.

“Jo vetëm që janë reduktuar shtretërit, por janë luftuar edhe profesionistët më të mirë që kanë qenë në kujdesin intensiv, prandaj jo rastësisht është rritur edhe shkalla e vdekshmërisë në kujdesin intensiv”, ka potencuar ai.

Listat e pritjes, sipas Haxhiut, janë një brengë e madhe, meqë sipas tij edhe këto lista ishin reduktuar në vitin 2019-2020.

“Sot lista e pritjes në kardiologji është mbi 1 vit dhe në vitin 2023, 3 mijë e 500 koronografi janë kryer në spitalet private. Ka kohë që prolongohet blerja e koronografit të ri për shkak të konflikteve dhe interesave për aparaturën se nga kush duhet të furnizohet ajo”.

Sipas Haxhiut edhe departamenti i Radiologjisë ishte një storie suksesi para Qeverisë aktuale të Kosovës.

“Lista e pritjes ishte 0 dhe kishte filluar ndërsa projekti i ‘stock center’, u stopua me ardhjen e kësaj qeverie”.

“Në vitin 2020 në krejt sektorin e shëndetësisë kanë qenë dy aparatura të rezonancës magnetike, me dy aparatura lista e pritjes ka qenë 0 deri në një javë, sot me tri aparatura në QKUK, një në Prizren dhe një në Pejë, lista e pritjes është 5 deri në 6 muaj”.

Kuvendi i Kosovës, në një seancë të jashtëzakonshme, po diskuton propozim-rezolutën për gjendjen në shëndetësi dhe sigurimet shëndetësore.

Këtë seancë e ka propozuar Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Në draft-rezolutën, kërkohet një koordinim më i fuqishëm ndërinstitucional për përmirësimin e situatës në shëndetësi.

Dokumenti në fjalë përbëhet nga pesë pika, të cilat tregojnë hapat që duhet të ndërmerren për tejkalimin e sfidave në këtë fushë.

Në piken e dytë të draft-rezolutës flitet për planin e implementimin e skemës së sigurimeve shëndetësore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore