Lajme

Haxhiu: Në Prekaz u gjetën mbetjet skeletore të një individi, i takojnë kohës së luftës


Ilustrim

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se edhe të martën priten të vazhdojnë punimet në Pekaz të Poshtëm të Skenderajt pasi janë gjetur mbetje mortore të viktimave të kohës së luftës në Kosovë.

“Sot, gjatë vazhdimit të punëve në lokacionin Prekaz i Poshtëm, ekipet e IML-së dhe EULEX, me mbështetjen e policisë, KQPZH dhe ICRC kanë arritur të gjejnë dhe të tërheqin mbetjet skeletore të një individi që i takon kohës së luftës”, shkroi ajo në Facebook.

Haxhiu ka theksuar se mbetjet mortore janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore me ç’rast do t’i nënshtrohen ekzaminimit dhe identifikimit mjeko ligjor.

“Në të njëjtin lokacion janë gjetur edhe tre trupa para 11 ditëve. Punimet pritet të vazhdojnë edhe gjatë ditës së nesërme”, shtoi ajo.

Çështja e personave të zhdukur është ngritur edhe në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në vitin 2020, por që nuk ka pasur ndonjë progres konkret.

Gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998-1999 rreth 13 mijë njerëz nga të gjitha bashkësitë etnike u vranë, mbi 800 mijë u zhvendosën dhe rreth 1 mijë e 600 janë të zhdukur.

Qindra trupa të shqiptarëve të vrarë të Kosovës janë gjetur në varreza masive në Serbi. Deri më tani nga Serbia në Kosovë janë kthyer rreth 1 mijë mbetje mortore

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore