Lajme

Haxhiu krah për krah me Martin Berishaj, thotë se u përmirësua sundimi i ligjit dhe po luftohet korrupsioni


Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe ambasadori i Kroacisë, Martin Berishaj.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në një konferencë me ministrat e rajonit teksa shihet krah për krah me ambasadorin e Kroacisë, Martin Berishaj, i cili nga Prokuroria Themelore akuzohet për deklarim të rrejshëm të pasurisë dhe nga Prokuroria Speciale për shpëlarje parash ka thënë se po luftojnë “korrupsionin” si dhe kanë shënuar progres në “sundimin e ligjit”.

“Theksova se në rrugën reformuese, Republika e Kosovës tashmë ka filluar të shënojë rezultate në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, reformën penale dhe civile, si dhe rezultate konkrete në adresimin e të drejtave të njeriut”, ka shkruar ajo në rrjetin social ‘Facebook’.

Gjatë pjesëmarrjes së saj në konferencën “E ardhmja e zgjerimit të Bashkimit Evropian: Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore”, ajo ka thënë se ka njoftuar ministrat e Ballkanit Perëndimor për qëllimet e gjyqësorit në Kosovë.

Ndërsa, ka shtuar se ka rikonfirmuar përkushtimin e ekzekutivit për një gjyqësor të pavarur, të paanshëm, efikas dhe profesional.

“Në veçanti, adresova faktin se përpjekjet tona synojnë garantimin e pavarësisë, llogaridhënies, integritetit, cilësisë dhe efikasitetit të sektorit të drejtësisë në vendin tonë”, ka shkruar ajo.

Ndërsa, ka shtuar se ka diskutuar edhe për reformat që ka ndërmarrë dikasteri që ajo udhëheq që nga fillimi i mandatit dhe progresin që kanë arritur.

“Me theks ato që ndërlidhen me vetingun në sistemin e drejtësisë, pakon ligjore kundër krimit të organizuar dhe korrupsionin, adresimin e krimeve të luftës dhe veprimet që kemi ndërmarrë me qëllim të adresimit të dhunës në familje dhe me bazë gjinore”.

“I njoftova të pranishmit se Ministria e Drejtësisë ka pasur gjithsej 35 masa dhe detyrime që dalin nga PKZMSA dhe se nga këto detyrime, 28 masa janë zbatuar plotësisht dhe se për 7 detyrimet e tjera, po punohet intensivisht drejt finalizimit dhe realizimit të tyre”.

Haxhiu, ka informuar se konferenca regjionale është duke u mbajtur në Zagreb-Kroaci, e po ashtu është organizuar nga ministria e Drejtësisë e Kroacisë në bashkëpunim me Komisionin Evropian.

Rasti i ambasadorit Martin Berishaj

Në Slloveni ekziston një kompani me emrin GEN-I. Kompania është një ndër më të mëdhatë në rajon për tregtim të energjisë elektrike. Mediat në Slloveni kanë zbuluar se përmes kësaj kompania janë shpërlarë para të taksapaguesve slloven.

GEN-I qendror në Slloveni, hapë filiale në Beograd, Sarajevë, Tiranë e vende të tjera. Më vonë, kompania amë përmes akrobacioneve të ndryshme fiskale u lëshon para degëve të saja për arsye të ndryshme financimi.

Ato para, dalin jashtë shtetit slloven dhe bëhen lehtësisht të manipulueshme. Filialet e kompanisë i shpërlajnë ato duke paguar njerëz të ndryshëm dhe dyshohet se njëri nga ta është edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

Ai paguhet formalisht për konsulencë, si për shembull nga GEN-I në Beograd me shuma të fryra ku më pas i tërheqë paratë nga xhirollogaria e tij dhe i ridërgon në Slloveni.

Nga aty, të njëjtat dërgohen në bursa e tregjet e ndryshme, kryesisht në Itali. Informacionet e fundit janë se Martin Berishaj me një pjesë të atyre parave ka financuar edhe fushatat elektorale të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Listës Guxo.

Berishaj aktualisht po akuzohet nga Prokuroria Themelore e Kosovës për deklarim të rrejshëm të pasurisë dhe nga Prokuroria Speciale për shpëlarje parash derisa vazhdon të mbetet ambasador.

Media sllovene Prava publikoi të dhëna për transaksione të dyshimta dhe aty zbulohet se bëhet fjalë për afër 100 milionë euro të dërguara nga GEN-I në Slloveni si kompani qendrore në degë dhe filale të ndryshme si në Bosnje dhe Hercegovinë, Serbi e Shqipëri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore