Kosova

Haxhiu: Këshilli Prokurorial në gjendjen më të keqe, është i interesuar për të bërë pazare


Albulena Haxhiu

Ministria e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka vlerësuar se Këshilli Prokurorial i Kosovës, është në gjendjen më të keqe dhe më të rëndë ndonjëherë, meqë sipas saj, ky këshill është i interesuar për të bërë vetëm pazare.

Ndonëse sipas saj, Këshilli Gjyqësor është duke u përpjekur për të ndërmarrë veprime në përputhje me përgjegjësit, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për Këshillin Prokurorial. 

“Në rast se sistemi prokurorial nuk është në nivel të detyrës dhe prokurorët nuk i adresojnë përgjegjësit e tyre dhe në anën tjetër Këshilli Prokurorial nuk merr masa disiplinore ndaj prokurorëve që nuk e kryejnë detyrën, atëherë gjendja do të rëndohet”, ka vlerësua ajo në një intervistë për Televizionin A.

Ndryshe Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte vendosur që ta shpallë të pavlefshëm Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, e hartuar nga Qeveria aktuale e Kosovës.

Me ndryshimet në Ligjin për KPK-në, ndërrohej mënyra e funksionimit të Këshillit Prokurorial, por edhe përbërja e këtij këshilli.

Sipas vendimit të Kushtetueses, ligji binte ndesh me nenet e Kushtetutës për Formën e Qeverisjes dhe Ndarjen e Pushtetit, Kompetencat e Kuvendit, Rolin e Avokatit të Popullit, Barazinë para Ligjit, e nenin për Këshillin Prokurorial.

Në Ligjin e kontestuar, KPK-ja parashihej të përbëhej nga shtatë anëtarë, përfshirë Kryeprokurorin, dhe tre anëtarë prokurorë të përzgjedhur nga sistemi prokurorial dhe tre joprokurorë.

Në të kaluarën KPK-ja përbëhej nga nëntë anëtarë prokurorë të zgjedhur nga sistemi prokurorial dhe tre anëtarë joprokurorë të përzgjedhur nga Kuvendi, sipas propozimeve të Odës së Avokatëve dhe Fakulteteve Juridike dhe konkursit publik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore