Shqipëria

Hasani viziton Thaçin në Hagë: Thirrje për një proces gjyqësor të përshpejtuar, transparent dhe politikisht të paanshëm


Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme në Republikën e Shqipërisë, Igli Hasani, këtë të mërkurë të 17 prillit ka takuar në Hagë ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Hasani shkruan se “e ka gjetur në gjendje të mirë shpirtërore, optimist dhe me besim të palëkundur që e drejta do të triumfojë”.

Ai thekson se diplomacia shqiptare, ashtu si dhe më parë, do të ngulë këmbë në zbatimin e standardeve për një proces gjyqësor të hapur e transparent, në respektim të plotë të të drejtave të njeriut sipas konventave ndërkombëtare.

Ministri ka bërë thirrje për një proces gjyqësor të përshpejtuar, transparent dhe politikisht të paanshëm jo vetëm për Hashim Thaçin, por edhe Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.

Për kryediplomatin shqiptar ishte vërtet mbresëlënëse kurajo e Thaçit, ekuilibri i brendshëm, qetësia e kthjelltësia e vizionit që ai ka për të ardhmen.

“I vetëdijshëm se proceset gjyqësore janë një maratonë me të përpjeta e tatëpjeta. Garën e fiton ai që është i përgatitur psikologjikisht”.

Më tej Hasani thotë se përcolli zotit Thaçi urimet më të mira të drejtuesve më të lartë të qeverisë dhe të shtetit, të Kryeministrit Edi Rama dhe kolegëve të tjerë, si dhe sigurinë që, ashtu si më parë, mbështetja nuk do t’i mungojë në asnjë rast dhe për asgjë.

“Populli shqiptar nuk i harron as përpjekjet, as sakrificat e bijve të tij, ashtu si dje në luftë edhe sot në paqe”.

Ministri e ka informuar Thaçin për zhvillimet më të fundit në vendin tonë, por edhe ato në rajon, si dhe përpjekjet e pa kursyera nga pala shqiptare për paqen, stabilitetin dhe zhvillimin.

Në përfundim të fjalës së tij, kreu i diplomacisë shqiptare thotë se takimi ishte një mbresë e pashlyeshme si ministër i jashtëm i Republikës së Shqipërisë, por edhe por edhe si qytetar dhe admirues i përpjekjes së Hashim Thaçit dhe të gjithë atyre burrave, që janë brenda në këtë gjykatë për lirinë e Kosovës.

Hashim Thaçi e Kadri Veseli, bashkë edhe me Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin – të gjithë ish-udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – po mbahen në burg nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, për shkak se akuzohen për krime lufte.

Ata akuzohen për periudhën janar 1998 – dhjetor 2000.

Të gjithë janë deklaruar të pafajshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore