Lajme

Hasani për vizitën e Osmanit në Shqipëri: Uroj që asnjëherë mos të kemi ftohje të raporteve – por gjëra që na bashkojnë


Ish-ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Nait Hasani

Ish-ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Nait Hasani, e ka mirëpritur vizitën dy ditore të presidentes kosovare Vjosa Osmani në Shqipëri.

“Uroj që mos te kemi asnjëherë probleme, por të kemi gjëra që na ofrojnë dhe na bashkojnë”, tha Hasani për Albanain Post.

Ai thotë se me rastin e vizitës së Osmanit në Tiranë, shteti shqiptar po tregon se është i gatshëm ta mbështes Kosovën.

“Institucioni i shtetit shqiptar e ka kuptuar dhe kupton drejt pozicionin e Kosovës që i duhet mbështetje”, potencoi Hasani.

Ish-diplomati, thekson po ashtu se pavarësisht kush ka qenë president dhe kryeministër në Kosovë, institucioni i shtetit shqiptar e ka mbështetur Kosovën vazhdimisht.

“Takimin e Osmanit me zotërinë e Rama e shoh si pozitiv, pavarësisht dallimeve që i kanë pas, meqë edhe Rama sa ishte në Prishtinë u takua me Osmanin”.

Ndërsa kur pyetet për “ftohjen e raporteve” mes kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe atij të Kosovës, Albin Kurti, Hasani shpreson që dy kryeministrat “i kanë rregulluar raportet”.

“Rama e Kurti u takuan edhe në Bled, besoj që i kanë rregulluar raportet mes dy qeverive. Ftohja e raporteve mes tyre shpresoj të jetë tejkaluar”, ka potencuar ai.

Ndryshe, presidentja Osmani tashmë ka udhëtuar drejt Tiranës ku do qëndrojë për një vizitë dy ditore.

Sipas agjendës, ajo do takohet me krerët e shtetit shqiptar.

Në kuadër të kësaj vizite shtetërore, Osmani në një ceremoni do t`ia dorëzojë dekretin e nënshtetësisë së Kosovës, shkrimtarit me famë botërore, Ismail Kadare.

Takimi me krerët e shtetit, dorëzimi i dekretit të nënshtetësisë për Kadarenë – zbardhet agjenda dy ditore e Osmanit në Shqipëri

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore