Shqipëria

Hasani niset drejt Gjenevës, merr pjesë në takimin e lartë të KDNJ-së


Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme në Republikën e Shqipërisë, Igli Hasani, do të udhëtojë nga India drejt Gjenevës.

Kjo pasi në datat 26 – 27 shkurt do të mbahet takimi i Nivelit të Lartë i Sesionit të 55-të të Këshillit të të Drejtave të Njeriut (KDNJ).

Shqipëria merr pjesë në takim si vend anëtar i KDNJ-së me një mandat 3 vjeçar 2024-2026.

Është hera e dytë që, brenda një periudhe më pak se 10-vjeçare, Shqipëria bëhet pjesë e këtij organizmi të rëndësishëm të OKB-së që trajton çështje të mbrojtjes dhe respektimit të të drejtave të njeriut.

Gjatë qëndrimit në Gjenevë, Ministri Hasani do të pritet nga Komisioneri i Lartë i OKB-së i të Drejtave të Njeriut, ndërsa do të takohet me stafin shqiptar të punësuar pranë OKB në Gjenevë si me ekipin e Misionit të Republikës së Shqipërisë.

Ministri Hasani do të japë mesazhin e tij në emër të Shqipërisë në takimin e posaçëm të Grupit të Miqve për Llogaridhënien për Ukrainën.

Vetëm një ditë më parë, Hasani përmes një videomesazhi në dy-vjetorin e fillimit të agresionit rus u shpreh se është krenar për rolin e Shqipërisë në mbështetje të Ukrainës.

Ai ravijëzoi se “kemi bërë maksimumin për të mbështetur Ukrainën dhe popullin e saj, edhe sepse kuptojmë se lufta e tyre është një luftë për sigurinë e Evropës dhe sistemin ndërkombëtar të bazuar në rregulla”.

“Çdo gjë tjetër, do të inkurajonte çdo diktator dhe komb mashtrues në botë që të ndjekë rrugën e Vladimir Putin, duke e zvogëluar kështu ligjin ndërkombëtar në ligjin e xhunglës. Për ne, në Ballkanin Perëndimor, lufta në Ukrainë ka ringjallur kujtime dhe emocione të dhimbshme nga vitet 1990, kur rajoni ynë ishte shtëpia e luftës së fundit në Evropë”.

Kryediplomati kujtoi se më 28 shkurt “organizojmë Samitin Ukrainë – Ballkani Perëndimor”.

“Ky Samiti do të ofrojë një mundësi për liderët nga Ballkani Perëndimor dhe Evropa Juglindore për të diskutuar, se si ne mund të punojmë së bashku dhe si mund të ofrojmë të gjithë mbështetjen që mundemi për Ukrainën, të vetëdijshëm se duke ndihmuar Ukrainën ne po kontribuojmë gjithashtu në sigurinë dhe stabilitetin e rajonit tonë dhe Evropës”.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky do të vizitojë Shqipërinë më 28 shkurt.

Kështu ka mësuar Albanian Post, teksa vlen të theksohet se vizita e tij vjen në kuadër të Samitit për Ukrainën të paralajmëruar nga kryeministri Rama nga takimi me gazetarët në Shkup.

“Po përgatisim një samit në Tiranë për Ukrainën, dhe duhet të kemi të pranishëm presidentin Volodymyr Zelensky. Do përpiqemi në atë hark kohor të kemi edhe takimin tjetër të liderëve të rajonit me përfaqësuesit të sotëm të BE dhe që janë atë që do ndjekin për të bërë një bilanc të këtij muaji për të vijuar të vazhdojmë me ritmin e përshpejtuar që diktohet nga proceset e reja, që po ndodhin në BE, ka zgjedhje të reja”, tha asokohe Rama.

Ai shtoi se “ne duhet të mbyllim këtë paketë duke bërë punën tonë brenda afateve që ka kjo administratë në Bruksel. Është një samit në mbështetje të Ukrainës dhe për të diskutuar me presidentin e Ukrainës  në lidhje me sfidat e sigurisë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore