Kosova

Hasani dorëzon kallëzim penal ndaj Dekanit të Juridikut


Enver Hasani

Profesori i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Enver Hasani, ka dorëzuar kallëzim penal pranë Prokurorisë Themelore në Prishtinë ndaj Dekanit të Juridikut, Avni Pukës.

Hasani e ka ngritur kallëzimin penal ndaj Pukës për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar dhe buxhetit lidhur me pagesat e pagave që ia kishte bërë Hasanit, që ndodhej për shërim jashtë vendit.

Kallëzimi në fjalë u ngrit disa ditë pasi Puka e dërgoi Hasanin në Këshill të Etikës pikërisht për këtë çështje, duke e akuzuar se nuk ka mbajtur asnjë ligjëratë gjatë vitit akademik 2023/2024 dhe se e ka vënë në lajthim Fakultetin Juridik, duke u kompensuar për normë e mbinormë pa mbajtur mësim në shumë mbi 15 mijë euro.

Por, Hasani ka potencuar se Puka vetë ka nënshkruar për orët e mbajtura nga profesorët.

Në arsyetim, Hasani ka thënë se gjatë vitit akademik 2023/2024 ai ka qenë në Helsinki për shërim, pasi ishte diagnostikuar me një sëmundje të rëndë, për çka thotë ta ketë njoftuar Rektorin e UP-së, Qerim Qerimi. Edhe për Pukën thotë se e ka ditur se ndodhej për shërim jashtë vendit.

Lidhur me pagesat, Hasani ka thënë se ato janë bërë me urdhër të Pukës, meqë edhe ky i fundit, sipas tij, ka ditur që ai është për shërim jashtë vendit.

Hasani: Dekani i Juridikut s’ka diplomë, s’di as anglisht e as italisht, pushteti s’ka vullnet për të vërtetuar

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore