Shqipëria

Hasani: Do të vazhdojmë përfaqësimin dinjitoz të Shqipërisë ndërkombëtarisht


Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, garantoi pas betimit në Presidencë se do të vazhdojë punën për përfaqësimin dinjitoz të Shqipërisë në arenën ndërkombetare.

“Bashkë do të vazhdojmë punën për integrimin e Shqipërisë në BE, forcimin e pasaportës shqiptare, barazinë gjinore, sjelljen e investitorëve të huaj në Shqipëri dhe përfaqësimin dinjitoz në arenën ndërkombetare”, reagoi fillimisht ai.

Kujtojmë që Hasani u emërua në këtë post, duke pasuar ish-kryediplomaten Olta Xhaçka.

“Privilegj t’i shërbej vendit tim si Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme! Mirënjohje Kryeministrit Edi Rama, Qeverisë dhe Kuvendit për besimin. Falenderim për miken time Olta Xhaçka për punën e shkëlqyer në shërbimin e jashtëm”, shkruan zyrtari shqiptar në median sociale “X”.

Hasani ka qenë bashkë-koordinator i Aktiviteteve Ekonomike dhe Mjedisore pranë OSBE-së. Një profil teknik i lartë për kabinetin Rama.

Gjatë kryesimit shqiptar të OSBE-së, ambasadori Hasani ishte Kryetar i Këshillit të Përhershëm të OSBE-së dhe kryetar i Grupit të Kontaktit Mesdhetar si pjesë e Trojkës së OSBE-së në vitin 2019.

Ambasadori Hasani ka një përvojë 17-vjeçare në Ministrinë e Mbrojtjes së Shqipërisë në role të ndryshme drejtuese, duke përfshirë si Sekretar i Përgjithshëm (2017-2018), Drejtor i Përgjithshëm për Politikat e Mbrojtjes (2015-2017), Drejtor i NATO-s dhe Marrëdhënieve me Jashtë (2013-2014) dhe Drejtor i Integrimeve Euro-Atlantike (2013-2014).

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, u shpreh se prioritet kryesor i MEPJ-së do të vijojë të jetë integrimi evropian, teksa theksoi se kryesimi shqiptar i OSBE-së dhe angazhimi në Këshillin e Sigurimit e kanë rritur cilësisht rolin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

“Na takon neve të gjithëve që të përpiqemi të sjellim më shumë investime në vendin tonë, që ta ndihmojmë këtë progres cilësor që ka marrë ky vend kaq i bukur. Jam shumë i bindur që së bashku do të krijojmë modalitetet e duhura për të avancuar edhe më tej në rrugën që kemi përpara”, tha ai.

Zëvendës kryeministrja Balluku vlerësoi punën e deritanishme të ish-ministres Olta Xhaçka, teksa i uroi suksese Hasanit në detyrën e re.

“Unë besoj se falë vizionit të qartë që Olta prej kohësh ka implementuar duke ngritur nivelin e MEPJ në një nivel tjetër dhe me dëshirën që unë e shikoj që Igli e ka të fortë për të vazhduar, vetëm punë të mira do të bëhen në të ardhmen dhe vetëm arritje të tjera do të shënojmë në diplomacinë shqiptare”, u shpreh ajo.

Ish-Ministrja Olta Xhaçka vlerësoi mbështetjen dhe angazhimin e trupës diplomatike, gjatë këtyre viteve që ajo i cilësoi si mjaft sfiduese por mjaft të suksesshme për diplomacinë shqiptare.

“Jam shumë krenare për avancimin e procesit të integrimit në BE dhe afrimin e ëndrrës së shqiptarëve për t’u rikthyer në Evropë dhe jam veçanërisht krenare për angazhimin e palodhur në mbështetje të Kosovës. Shqipëria sot gëzon një reputacion të admirueshëm në arenën ndërkombëtare sepse kemi ditur të përballemi me sfida të jashtëzakonshme”, shtoi ish-kryediplomatja.

Betohen ministrat e rinj të Qeverisë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore