Shqipëria

Harta e re Gjyqësore, ‘mollë sherri’ mes Dhomës së Avokatisë dhe Avokatëve Penalistë


Miratimi i Hartës së re Gjyqësore është kthyer këtë të diele të 12 prillit në një “shkak përplasjeje” mes Dhomës së Avokatëve Penalistë dhe Dhomës së Avokatisë.

Saimir Vishaj, kreu i Avokatëve Penalistë ka dalë kundër vendimit të Dhomës së Avokatisë, e cila ka kërkuar bojkotim të gjyqeve si protestë kundër Hartës së re Gjyqësore.

Vishaj nëpërmjet një postimi në median sociale Facebook shkruan se Dhoma që ai drejton nuk do bëhet pjesë e grevës.

Kjo pasi sipas tij,  nuk është i qartë objektivi i kësaj greve, pra shkaku lidhur me kundërshtimet e Hartës gjyqësore.

Vishaj shkruan se afati grevës është shumë shkurtër, dhe dëmi që mund të shkaktojë në raport me qëllimin e saj është irelevant.

Nga ana tjetër, Dhoma e Avokatisë ka paralajmëruar bojkotim të seancave gjyqësore nga data 14 deri më 17 qershor.

Për sa i përket bojkotit, paralajmërohet se “moszbatimi i këtij vendimi nga ana e avokatëve përbën shkelje të rëndë të kuadrit ligjor mbi profesionin e avokatit, e për rrjedhojë do të procedohen disiplinarisht”.

Pse një Harte e re shkaktoi përplasje?

Miratimi i Hartës do të sjellë shkrirjen e 10 Gjykatave, duke e çuar kështu numrin total të atyre të Shkallës së Parë nga 22 në 12.

Kjo Hartë e re Gjyqësore parashikon 12 Gjykata të shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm dhe vetëm një Gjykatë Apeli për juridiksionin e përgjithshëm dhe një për atë administrativ.

Ky veprim ka hasur në kundërshtinë e avokatëve, të cilët e konsiderojnë si skemë të pamundur për të funksionuar.

Saimir Vishaj, kreu i Dhomës së Avokatëve Penalistë

Kreu i Dhomës së Avokatisë Korçë, Arben Lena, ka deklaruar se kjo nuk do të sjellë përfitime reale për qytetarin e thjeshtë.

Për Albanian Post, ai tregon se, shkurtimi i Gjykatave në rang vendi, largon qytetarin nga Gjykata.

“Ky proces detyron qytetarin nga Shkodra, Tropoja, Kukësi, Korça, Pogradeci, Berati dhe shumë qytete të tjera të shkojnë nga skajet më të largëta të vendit në mes të Tiranës”, shprehet Lena.

Kështu, sipas tij, qytetarët mund të detyrohen që, përpos shpenzimeve të udhëtimit, të qëndrojnë edhe në Tiranë, nëse kanë një seancë gjyqësore.

Nga ana tjetër, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, deklaroi se kjo hartë do të afrojë Gjykatat me njeriun, do të rrisë cilësinë dhe do të përdoren më së miri edhe burimet publike.

“Edhe në nivel Apeli, nisur nga lëvizjet demografike, 90% e qytetarëve do të kenë askes në Apelin e Tiranës”, u shpreh ai.

Çfarë do të thotë kjo Hartë?

KLGJ-ja, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, më 8 qershor e ka hartuar këtë projekt, që u dërgua për shqyrtimin e Ministrisë.

Sipas hartimit, Këshilli ka propozuar që nga “22 gjykatat e rretheve gjyqësore me juridiksion të përgjithshëm, gjashtë gjykatat administrative të shkallës së parë dhe gjashtë gjykatat e apelit me juridiksion të përgjithshëm të riorganizohen në 12 gjykata me juridiksion të përgjithshëm dhe dy gjykata administrative në shkallë të parë, dhe një gjykatë apeli”.

Me fjalë të tjera, është kërkuar një ulje e numrit të gjykatave.

Në deklaratë shkruhet se, “Harta e re Gjyqësore do t’i shërbejë optimizimit të burimeve njerëzore dhe financiare, rritjes së eficiencës së gjykatave, përmirësimit të shpejtësisë së gjykimit dhe aksesit në drejtësi të qytetarëve”.

Këshilli i Lartë Gjyqësor e ka cilësuar hartën si çelësin shumë të rëndësishëm për zgjidhjen e sfidave të sistemit gjyqësor, lidhur me ngarkesën e punës, delegimet, aksesin, koston dhe efektshmërinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore