Sport

Harry Kane rikthen Bayernin te fitorja


Pas tre humbjeve radhazi në të gjitha kompeticionet, Bayern Munich është rikthyer te fitorja. Bavarezët mundën këtë të shtunë 2-1 Leizpig-un në “Allianz Arena”, në ndeshjen e javës së 23 në Bundesliga.

Një dygolësh i sulmuesit anglez, Harry Kane bëri që Bayern-i të merrte fitoren e parë pas dy humbjeve radhazi në Bundesliga dhe asaj me Lazio-n në Champions League.

Bavarezët e filluan takimin duke vendosur një rekord të ri në Bundesliga. Ata luajtën ndeshjen e 1000-të në shtëpi, diçka që se ka bërë asnjë skuadër tjetër gjermane në ligën më të lartë.

Pasi pjesa e parë e takimit përfundoi me rrjeta të paprekura, në atë të dytë do të realizoheshin tre golat e sfidës.

Kane realizoi golin e parë të ndeshjes në minutën e 56. Miqtë do të barazonin me Benjamin Sesko-n në minutën e 70.

Kur ndeshja po i drejtohej fundit të saj, Kane realizoi sërish, në minutën e parë shtesë, duke vulosur një fitore shumë të rëndësishme për skuadrën e Thomas Tuchel-it.

Me fitoren e arritur, Bayern-i shkon në kuotën e 53 pikeve, në vendin e dytë në Bundesliga. Leverkusen-i i vendit të parë ka 61 pikë. Leipzig qëndron në vendin e pestë me 40 pikë.

Më herët, këtë të shtunë, në Bundesliga u zhvilluan takimet: Union Berlin 2-2 Hidenheim, Gladbach 5-2 Bochum, Bremen 1-1 Darmstadt dhe Stuttgart 1-1 Koln.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore