Kosova

Haradinaj–Stublla përgëzon Gërvallën pas paraqitjes në Këshill të Sigurimit


Ish ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla.

Ish ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, ka lavdëruar ministren e këtij dikasteri Donika Gërvalla, pas paraqitjes në Këshillin e Sigurimit.

Haradinaj-Stublla, përmes një shkrimi në rrjetin e saj social ‘Facebook’, është shprehur e mburrur me Gërvallen.

“E përgëzoj Ministren Gërvalla për paraqitjen në Këshillin e Sigurimit. Përveç që është grua, dhe që vjen nga një familje emblematike për lirinë e Kosovës, ajo mbrëmë na bëri krenarë se me sa mprehtësi hodhi poshtë tentativat e stërvjetëruara propaganduese të Serbisë e Rusisë”, ka shkruar ajo në Facebook.

Njëra nga deklaratat e ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombëve të Bashkuara për Kosovën ka qenë se Kosova i rezistoi asgjësimit serb, por sipas saj ““Serbia ka zgjedhur të jetë satelit i Rusisë”.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.

“Këta janë të njëjtit zyrtar me të kohës së Milloveshiçit. Kurrë s’kanë kërkuar falje për krime të luftës. Por, i glorifikojnë si hero. Supremacia serbe është e gjallë. Serbia vazhdon të destabilizojë Rajonin, e jo vetëm Kosovën”, deklaroi Gërvalla.

Ndërsa, ka potencuar se kohëve të fundit policia jonë multietnike u sulmua, duke theksuar se “jemi me fat se askush nuk u lëndua – sulmet po vinë nga territori serb”.

“Ato do të ishin të pamundura po të mos i toleronte Vuçiçi. Serbia dhe Rusia mbesin rreziqet më të mëdha në rajon. Serbia ka marrë aeroplan lufte nga Rusia dhe Biellorusia. Ata janë ushtri e gatshme për të sulmuar jo për t’u mbrojtur. Nuk është puna vetëm te armatimi, por edhe te ideologjia”.

Ajo ka shtuar se për të dialoguar Serbia me Kosovën duhet të pranojë realitetin, “njohjen e Kosovës”.

Nga Britania ftuan Kosovën dhe Serbinë që të përbahen nga veprimet dhe retorika që mund të nxisë përshkallëzim të tensioneve.

Duke kujtuar tensionimin e situatës në veri të Kosovës në shtator të vitit 2021, kur serbët lokalë bllokuan rrugët për në pikëkalimet kufitare midis Kosovës dhe Serbisë, për shkak të vendosjes së reciprocitetit për targat e makinave nga Serbia.

Përfaqësuesit e Kinës dhe Rusisë thanë se nuk kanë ndryshuar qëndrimin ndaj Kosovës, teksa këto dy shtete nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, dhe konsiderohen aleate të Serbisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore