Lajme

Haradinaj: Qeveria të orientohet drejt lidershipit amerikan për dialogun


Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar që Qeveria të orientohet drejt lidershipit amerikan për procesin e dialogut me Serbinë.

Kështu është shprehur Haradinaj përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.  

“Koha më e mirë për marrëveshjen gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të obligueshme me njohje reciproke në kufijtë ekzistues dhe në respekt të plotë të sovranitetit dhe rendit kushtetues. Koha më e mirë që qeveria jonë të mos ketë dilema dhe të orientohet qartë drejt lidershipit amerikan për këtë proces të rëndësishëm për Kosovën”, ka shkruar Haradinaj.

Ndërkaq ka potencuar se është i shqetësuar për ndërprerjen e investimeve kapitale dhe investimeve në energji.

“Aleanca së shpejti do të paraqes zgjidhjet për temat kryesore në të cilat ka dështuar plotësisht qeveria aktuale. Për këtë kemi angazhuar ekspertët më të mirë që kemi, por dhe kemi kërkuar ndihmë nga të gjithë ata ekspertë që janë të gatshëm të kontribuojnë për programin e ardhshëm qeverisës”, ka shkruar ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj

Ndryshe  çmimet evropiane të gazit natyror janë rritur aq shumë, saqë qindra miliona njerëz mund të përballen me shtëpi të ftohta ose fatura të fryra të energjisë gjatë dimrit.

“Kjo krizë energjetike në Evropë do të afektojë edhe Kosovën”.

Këtë e kishte bërë të ditur Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, pasi sipas saj qytetarët duhet të përgatiten për një rritje eventuale të çmimeve të energjisë.

Kjo pasi që çmimi i energjisë elektrike për një Megavat për orë, prej 60 euro, sa kanë qenë para kësaj krize në Evropë, tani ka arritur në mbi 100 euro.

Në anën tjetër Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë (ZRrE) ka bërë të ditur se tarifat aktuale të energjisë do të mbesin të njëjta deri me një prill të vitit të ardhshëm, atëherë kur bëhet edhe rishikimi i rregullt i çmimeve të energjisë elektrike në vartësi të të hyrave maksimale të lejuara për operatorët, KESCO, KEDS dhe KOSTT.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore