Kosova

Haradinaj: Po punojmë që më 9 shkurt Kosova të marrë drejtimin që i duhet për të ecur përpara


Ish kryeministri dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj

Ish kryeministri dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se javën e ardhshme do të bëhet publik programi zgjedhor i AAK-së, duke thënë se janë angazhuar që më 9 shkurt të ndodh ndryshimi që sipas tij i nevojitet Kosovës.

“Aleanca bashkë me partnerët në koalicion: Nismën Socialdemokrate, Listën Konservatore dhe Forumin Intelektual E-30, po punojnë që më 9 shkurt të ndodh ndryshimi që i duhet vendit për të ecur përpara”, ka shkruar ai në rrjetin social ‘Facebook’.

Haradinaj, ka vlerësuar se “fryma e fitores” po ndihet gjithandej e veçanërisht “mbështetja e jashtëzakonshme nga Diaspora, që do të jete krah i fortë i koalicionit tonë”.

Ndër të tjera, ka njoftuar se janë konfirmuar disa prej kandidaturave për deputetë.

“Këto zgjedhje janë bërë me kujdes dhe bazuar në aftësitë dhe përvojën e kandidatëve për të përmbushur rolet e tyre në Kuvend”.

Ndryshe, lista që ia kishte dëguar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), Albanian Post-it nuk e përfshinte një koalicion mes partnerëve aktual në Qeveri.

Në zgjedhjet e 2021-së, Lëvizja Vetëvendosje kishte marrë mbi 50 për qind të votave, në listë kishin qenë zyrtarë të listës Guxo, të cilët gjatë mandatit të parë janë kthyer në parti politike.

Partitë Vetëvendosje (VV), Guxo dhe Alternativa kanë pasur një bashkëpunim të ngushtë në politikën e Kosovës, veçanërisht gjatë zgjedhjeve dhe formimit të Qeverisë.

Në zgjedhjet parlamentare të mbajtura në shkurt të 2021-së, Lëvizja Vetëvendosje (VV) garoi në një listë të përbashkët me Lëvizjen Guxo, një subjekt i udhëhequr nga presidentja Vjosa Osmani.

Pas fitores në zgjedhje, VV formoi qeverinë e re të udhëhequr nga Albin Kurti, në këtë qeveri, anëtarë të Lëvizjes Guxo u përfshinë në pozicione kyçe qeveritare.

Osmani u zgjodh presidente e Kosovës me mbështetjen e VV-së dhe të deputetëve të tjerë, përfshirë ata nga Guxo dhe Alternativa.

Më 9 shkurt të 2025-së, do të mbahen zgjedhjet e reja parlamentare në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore