Kosova

Haradinaj: Po, e kam takuar Radojiçiç-in… ama çetnikët serbë e dinë kush jam unë


Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, e ka pranuar se ishte takuar me kryekriminelin serb, Milan Radojiçiç, në kohën sa ishte kryeministër, por ka theksuar se atëkohë ky i fundit nuk kishte pasur probleme me ligjin.

Haradinaj ka potencuar se serbët e njohin shumë mirë personalisht atë, duke iu referuar pjesëmarrjes së tij në luftë, si një nga komandantët më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

“Po, jam takuar dhe takohem me çetnikë serbë sepse e dinë kush jam”, tha Haradinaj, duke shtuar se “kur ka qenë koha unë i kam kryer detyra e mia”, duke iu referuar veprimtarisë patriotike të tij.

“Krejt këta e dinë kush jam unë që po takohem me ta. Pra, nuk ka serb që nuk e dinë kur takohet me mua se me kon po takohet. Kur e kam takuar Radojiçiçin nuk ka qenë i ndjekur prej ligjit”, deklaroi ish-kryeministri në një intervistë në RTV Dukagjini.

“Nuk jam takuar më kurrë me të, por Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar ndihmë nga ai mbasi ka qenë në listën e zezë. Ka kërkuar nga Lista Serbe mos të futen veteranët e UÇK-së në Ligjin për Pagën Minimale”, shtoi.

Tutje, kreu i AAK-së ka vazhduar me akuza të rënda ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të ripërsëritura tash e disa herë, se po i po i shërben “interesave ruse dhe serbe”.

“Zoti Kurti është në agjendën ruse. Ai po e zbaton kontratën që e ka me Serbinë”, potencoi Haradinaj.

Në prizmin e tij, Kurti “po i kthen borxhet e bashkëpunimit me operativët e Serbisë dhe marrëdhënieve që i ka me strukturat që lidhen me ta”.

“Është nxënë në makinë i mbuluar me batanije, është publikuar dokumenti, është falë nga Kushtunica, nuk është falë as Fehmi Agani as Ukshin Hoti, por është falë Albin Kurti”.

Për deputetin e AAK-së, Kurti “është zbatuesi më i mirë i agjendës ruse” dhe i asaj të presidenti rus, Vladimir Putin.

“Kjo nuk është akuzë është fakt. Kjo çka është duke bërë Kurti është agjendë e pastër ruse në emër të një rendi e ligji në Veri”, u shpreh i bindur Haradinaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore