Kosova

Haradinaj përgëzon Shqipërinë për hapjen e Bazës së Kuçovës: Kurti turpëroi Kosovën, devijoi nga kontrata politike me NATO-n


Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), nëpërmjet një postimi në “Facebook” të hënën, përgëzoi Shqipërinë për inagurimin e bazës taktike ajrore të NATO-s në Kuçovë – qytezë në pjesën jugqendrore të vendit – duke thënë se ky hap do ta forcojë sigurinë në Ballkanin Perëndimor.

Megjithatë, ai shprehu “indinjatë të thellë” ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili, sipas tij, turpëroi shtetin duke devijuar nga kontrata politike me udhëheqësit e NATO-s, posaçërisht pas zhvillimeve të fundit që cenuan sigurinë në pjesën veriore të vendit të banuar me shumicë serbe.

“Baza ajrore e NATO-s në Kuçovë të Shqipërisë, që është hapur sot, është bazë e sigurisë rajonale të Ballkanit. Sa më afër NATO-s, jemi më të lirë e më të sigurtë, por anëtarësimi i plotë i Kosovës në këtë Aleancë, sigurinë do ta bënte më të plotë”, shkroi kreu i AAK-së në llogarinë personale.

“E përgëzoj Shqipërinë për rreshtimin e saj të natyrshëm në këtë Aleancë, por nuk mund të mos shpreh indinjatën time të thellë për qeverinë e Albin Kurtit, e cila po e turpëron Kosovën duke dalur nga kontrata politike me udhëheqësit e NATO-s”, shkroi ndër të tjera ish-kryeministri i Kosovës.

Shqipëria është anëtare e NATO-s prej vitit 2009, ndërsa këtë të hënë (4 mars) u përurua baza ajrore e NATO-s, duke shënuar një fazë të re në forcimin e kapaciteteve të aleancës për sigurinë rajonale. Në ceremoninë përuruese morën pjesë përfaqësues të lartë të shtetit shqiptar dhe NATO-s.

Nga NATO janë investuar rreth 50 milionë euro dhe më shumë se 5 milionë euro janë investuar nga ekzekutivi shqiptar. Shqipëria mori përsipër ndërtimin e perimetrit të sigurisë dhe rrugëve lidhëse, ndriçimin, vendosjen e kamerave të sigurisë dhe të sensorëve të zbulimit përreth bazës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore