Lajme

Haradinaj për masakrën e Izbicës: Rruga jonë drejt lirisë ishte plot vuajtje e sakrifica


Ish kryeministri i Kosovës dhe kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj

Ish kryeministri i Kosovës dhe kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kujtuar masakrën e Izbicës duke thënë se atë ditë armiku nuk e kurseu askënd.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, Haradinaj ka thënë se kjo ishte njëra ndër masakrat më të mëdhaja që ndodhi në Kosovë.

“24 vjet më parë, ngjau një ndër masakrat më të mëdha të kryera nga forcat serbe gjatë luftës. Më 28 mars 1999, në fshatin Izbicë forcat ushtarake e policore të Serbisë, vranë mizorisht 147 shqiptarë të pafajshëm. Atë ditë, armiku nuk kurseu as gratë, fëmijët e pleqtë – as Dafinën 6 muajshe, eshtrat e së cilës u mbajtën për 18 vjet në Serbi”, ka shkruar Haradinaj.

Ndër të tjera, është shprehur se kjo tregon edhe për sakrificën e Kosovës drejt rrugës së lirisë.

“Masakra e Izbicës e shumë të tjera që fatkeqësisht kanë ndodhur në tokën tonë, janë një dëshmi e rrugës tonë drejt lirisë, një rrugë plot vuajtje e sakrifica”.

“Sot, kujtojmë të gjithë ata që humbën jetën në këtë masakër, duke nderuar sakrificën e tyre, e cila u bë themel i lirisë sonë. Lavdi”.

Të martën e 28 marsit, u bën 24 vjet që kur forcat policore dhe ushtarake serbe, pas rrethimit të mijëra civilëve të fshatit Izbicë dhe vendbanimeve përreth, veçuan 147 burra të rinj dhe pleq, të cilët i vranë dhe i masakr uan, ndërsa pjesën tjetër e dëbuan jashtë Kosovës.

Më 29 mars të 2022 kundër një të pandehuri me inicialet M.A, i nacionalitetit shqiptar, me vendbanim në Beograd, shtetas i Serbisë ishte ngritur aktakuzë për krime lufte.

Prokuroria Speciale kishte thënë se aktakuza kundër M.A. është ngritur për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”.

Duke sqaruar se rasti ka të bëjë me Masakrën e Izbicës, e cila ka ndodhur më 28.03.1999, në fshatin Izbicë, komuna e Skenderajt.

Nga viti 2000 deri në vitin 2008 krimet e luftës në Kosovë janë hetuar nga Misioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UNMIK).

Nga viti 2008, hetimin e krimeve të luftës e kishte përgjegjësi Misioni Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX).

Në vitin 2018 misioni i EULEX-it përfundoi procesin e dorëzimit të dosjeve tek prokuroria dhe gjykatat vendore.

Këto raste penale tani janë në duart e prokurorëve dhe gjyqtarëve të institucioneve të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore