Lajme

Haradinaj për letrën e disa politikanëve perëndimorë për Borrellin e Blinkenin: Është vulë e asaj se Kosova është euro-atlantike


Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka falënderuar kryetarët e Komisioneve parlamentare për Punë të Jashtme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë e disa vendeve të tjera, për letrën që i kanë dërguar kryediplomatëve evropiano-amerikanë ku i kërkohet një qasje më e ashpër dhe më e vendosur ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

“Falënderim i veçantë për ligjvënësit e Komiteteve të Punëve të Jashtme nga shtetet mike të Kosovës për letrën e dërguar zyrtarëve të lartë të Washingtonit, BE-së dhe Britanisë së Madhe në mbështetje të Kosovës”, shkroi ai Haradinaj në Facebook.

Kreu i AAK-së potencoi se arritjet e deritanishme si shtet “i kemi falë ndihmës dhe bashkërendimit me aleatët tanë, me ShBA-të në veçanti”.

“Ky akt është vulë e asaj se Kosova është euro-atlantike dhe se ky përkushtim do të jetë i përhershëm”, përfundoi ai.

Letra e cila u publikua nga gazeta gjermane “Tagesspiegel”, kryediplomatëve evropianë-amerikanë iu kërkohet një qasje më e ashpër dhe më e vendosur ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Në letrën e nënshkruar mbi të gjitha nga kryetari i komisionit parlamentar për politikë të jashtme në Parlamentin e Gjermanisë (Bundestag) Michael Roth dhe kryetari i Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bob Menendez, specifikohet se baza e politikës së përbashkët perëndimore ndaj krizës aktuale në Veri, duhet të jetë fakti se Kosova është një vend sovran dhe një demokraci funksionale.

“Qasja aktuale nuk po funksionon. Ne kërkojmë që komuniteti ndërkombëtar të mësojë nga e kaluara jonë dhe të sigurojë që ne të mos ndjekim politika me qendër Beogradin. Të shqyrtohet një politikë e diplomacisë parandaluese për të parandaluar një përkeqësim të mëtejshëm të situatës së sigurisë në veri të Kosovës. Ata që mbrojnë shtetin ligjor dhe demokracinë nuk duhet të qortohen”.

Menendez dhe Roth letër Borrellit e Blinkenit: Ata që mbrojnë shtetin ligjor dhe demokracinë nuk duhet të qortohen

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore