Kosova

Haradinaj: Pas takimit në Bruksel, Kurti duhet të reflektojë ose të shkarkohet përmes mocionit të mosbesimit


Ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ish kryeministri i Kosovës dhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se situata e krijuar pas dështimit në takimin e të enjtes në Bruksel, ka nevoj për reflektim urgjent nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Haradinaj, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka kërkuar dorëheqjen dhe kthimin e mandatit.

“Situata e krijuar pas dështimit të djeshëm në Bruksel, me tendencë të thellimit të krizës, me pasoja të rënda për popullin e Kosovës, kërkojnë reflektim urgjent nga Kurti dhe qeveria e tij”.

“Ai duhet të dorëhiqet dhe ta kthejë mandatin te populli. Këtë veprim duhet ta bëjë edhe nëse ai mendon se është në rrugë të drejtë. Ai obligohet ta pyes popullin se çka mendon për veprimet e tij. Në demokraci zgjedhjet janë përgjigja më e mirë”, ka shkruar Haradinaj.

Ai tutje ka thënë se nëse Kurti nuk reflekton, atëherë përgjegjësi kanë deputetët që veprojnë me urgjencë.

“Në rast të mungesës së reflektimit të Kurtit, mbetet përgjegjësi e ne të tjerëve, të bashkohemi e të veprojmë urgjent për ta dërguar vendin në zgjedhje, duke e shkarkuar Kurtin përmes mocionit të mosbesimit”.

“Është koha ta pyesim popullin se si të dalim nga kjo gjendje e rrezikshme”.

Takimi i nëntë ndërmjet Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç-it nuk prodhoi ndonjë rezultat.

Sipas Shefit të Diplomacisë së BE-së ishte Kurti ai që nuk e pranoi propozimin e BE-së për zbatimin e njëkohshëm të obligimeve që dalin nga kjo marrëveshje, ndërsa Vuçiç-i e pranoi.

Borrell tha se Kurti këmbënguli që të formalizohet, fillimisht, njohja de facto e Kosovës nga Serbia, kurse Vuçiç kërkoi themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

Kurti dhe Vuçiç, në konferenca të ndara për media, akuzuan njëri-tjetrin për mungesën e rezultateve nga takimi.

Kurti tha se “kushtëzimi i Serbisë” për formimin e Asociacionit “është shndërruar në qëndrim të emisarëve të BE-së”.

Sipas Vuçiç-it, Kurti, thjesht, “i shmanget formimit të Asociacionit. Ky është thelbi i gjithçkaje”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore