Lajme

Haradinaj: Në pozitë të pashpresë për Kosovën, koalicioni ynë parazgjedhor alternativë serioze


Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ish kryeministri i Kosovës njëherësh kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj konsideron se koalicioni parazgjedhor me Forumin Intelektual dhe partnerë të tjerë të koalicionit i ka dhënë “shpresë vendit”.

“Kosova gjithmonë ka pasur intelektualë që nuk qëndruan duarkryq, por ishin gjithmonë në ballë të proceseve të rëndësishme, sa herë që kishte nevojë vendi”.

Sipas tij, Kosova aktualisht është “në një pozitë të pashpresë”.

“Të angazhuar për një Kosovë të sigurtë e të zhvilluar, të integruar në strukturat euro-atlantike e në partneritet të ngushtë me BE dhe ShBA”, ka shkruar ai.

Ai tutje ka potencuar se janë duke u angazhuar për qytetarët dhe për të punuar më mirë për ta.

“Para vetes kemi shumë punë e përgjegjësi, tema që kërkojnë trajtim me shumë kujdes e maturi. Kosova do të bëhet ashtu siç e meriton qytetari!”, ka shkruar Haradinaj.

Më 17 janar, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe NISMA Socialdemokrate, kishin nënshkruar marrëveshje koalicioni parazgjedhore, që nënkupton se në zgjedhjet e ardhshme parlamentare këto dy parti do të garojnë së bashku.

Marrëveshja në mes të dy partive opozitare, njëra parlamentare e tjera jo, u nënshkrua nga kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, dhe lideri i NISMA-s, Fatmir Limaj.

Në fjalën e tij, kreu i AAK-së theksoi se deri në këtë pikë kanë ardhur pas diskutimeve të shumta që i kanë pasur, derisa bëri me dije se ky partneritet do të zgjerohet me akterë politik dhe jo vetëm, por nuk specifikoi se me kënd konkretisht.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore