Kosova

Haradinaj në Forumin Ndërkombëtar për Siguri kërkon anëtarësimin e Kosovës në NATO


Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj në Forumin Ndërkombëtar për Siguri.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, në Forumin Ndërkombëtar për Siguri ka kërkuar që Kosova të anëtarësohet në aleancën ushtarake NATO.

Haradinaj, në fjalimin e tij ka konsideruar se është koha për të vepruar në këtë drejtim.

“Në çerekun e parë të këtij shekulli dhe 25 vjet nga ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, ka ardhur koha për të marrë disa vendime të mëdha dhe tejet të rëndësishme. Unë besoj fuqishëm se anëtarësimi i plotë dhe sa më i shpejtë i Kosovës në NATO do të kontribuojë në stabilitetin dhe sigurinë mbarë rajonale, dhe do të luftojë dukshëm agjendat keqdashëse të të tjerëve”.

Sipas tij, anëtarësimi i Kosovës në këtë aleancë do të ndihmonte në forcimin dhe rritjen stabilitetit në të gjitha nivelet.

“Është koha që bota demokratike, e udhëhequr nga Amerika, të kuptojë se anëtarësimi i Kosovës në NATO është një nga vendimet më të rëndësishme, që do të ndihmonte në forcimin e sigurisë në të gjitha nivelet: brenda Kosovës, por edhe në forcimin dhe rritjen e stabilitetit dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe globalisht”, ka shkruar Haradinaj.

Një hap i tillë ka thënë Haradinaj do të tregonte për angazhim dhe mobilizim të thellë.

“Duke qenë së bashku në një vijë për t’u përballur e luftuar kundër agjendave keqdashëse të vendeve jodemokratike, siç janë Kina e Rusia”.

Që prej nisjes së pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të këtij viti, autoritetet në Kosovë kanë shtuar thirrjet për anëtarësimin e vendit në Programin për Partneritet të NATO-s.

Po ashtu, krerët shtetërorë kanë paralajmëruar se Kosova gjatë këtij viti do të aplikojë për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Por, anëtarësimi në këta dy mekanizma vështirësohet për faktin se në NATO janë katër shtete që ende nuk e njohin Kosovës, ndërkaq në BE janë pesë shtete mosnjohëse.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore