Kosova

Haradinaj ndan medalje për Blairin për kontributin e tij në çlirimin e Kosovës


Ramush Haradinaj dhe Tony Blair

Kryetari i Aleancës oër Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, nëpërmjet një postimi në “Facebook” të hënën, njoftoi se i dedikoi medaljen “Me Besim në Zot, Atdhe e Shtet” ish-kryeministrit britanik, Tony Blair, i cili ndodhet në Kosovë për nder të shënimit të 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës.

“Me respekt dhe mirënjohje, për shërbimin, rolin dhe kontributin e tij në ndalimin e gjenocidit, mbështetjen e çlirimit të Kosovës dhe mbrojtjen e të drejtës sonë për një shtet të pavarur, Kryeministrit Tony Blair, në shënimin e 25-vjetorit të Çlirimit, i dedikova medaljen ‘Me Besim në Zot, Atdhe e Shtet’”.

“Kontributi i Shkëlqësisë së Tij, z. Blair, për lirinë e popullit të Kosovës, janë vetëm një dimension i lidershipit të tij të jashtëzakonshëm evropian dhe global, i cili tashmë ka hyrë në kapitullin e pashyler të historisë britanike, shqiptare dhe botërore”, shkroi Haradinaj në llogarinë e tij, derisa shtoi se populli i Kosovës do të jetë përjetësisht falënderues për angazhimin e Blairit.

Blair, i cili për shqiptarët e Kosovës është më shumë se një ish-kryeministër britanik, një qerek shekulli më pas, gjatë vizitës në Kosovë, përsëriti se ndërhyrja e aleatëve të NATO-s në vitin 1999 ishte e nevojshme dhe se ekzistenca e shtetit të pavarur të Kosovës është dëshmi e kësaj, prandaj nuk është penduar asnjëherë që e ndihmoi Kosovën në jetësimin e lirisë.

Ndryshe, ndërhyrja humanitare e NATO-s më 24 mars 1999 konsiderohet një ndër sukseset më të rëndësishme të aleancës ushtarake që erdhi në jubileun e 50-të të NATO-s, përkundër se përbente rastin e parë në histori që ajo ndërhynte në territorin evropian. Bombardimet e NATO-s mbi Serbinë përfunduan pas 78 ditëve, ndërsa lufta në Kosovë pas 14 muajve.

“Në Kosovë bëmë gjënë e duhur”: Roli i Blairit në bombardimin e Serbisë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore