Lajme

Haradinaj kujton Masakrën e Lubizhdës: Rajoni Hasit dha shumë për atdheun


Ramush Haradinaj

Kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se rajoni i Hasit ka dhënë shumë për atdheun.

Këto komente, Haradinaj i ka bërë në një postim në Facebook, në përvjetorin e Masakrës në Lubizhdë të Hasit, ku forcat policore e ushtarake serbe i kishin vrarë 54 shqiptarë të këtij rajoni.

“Liria e atdheut, në themelet e saj ka sakrificën e të rënëve dhe kontributin e shumë heronjve ndër breza. Rajoni i Hasit dha shumë për atdheun. Shumë burra nga kjo tokë ishin gjithmonë aty për të dhënë kontributin për liri e çlirim”, shkroi Haradinaj.

“Kujtojmë sot 54 shqiptarë të kësaj ane që u ekzekutuan mizorisht mbi fshatin Lubizhdë të Hasit, nga data 12 prill 1999 për shumë ditë me radhë, shumë nga ta të rinj në moshë”, theksoi.

Ish-kryeministri theksoi se derisa nderojmë dhe kujtojmë sakrificën e heronjve, është i lumtur që në këtë ditë, në Lubizhdë po finalizohet shtëpia muze “Kulla e Qëndresës”, të cilës i vënë gurthemel ai dhe ish-kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

Ramush Haradinaj

“Kjo kullë do të shërbejë si simbol i përkujtesës për sakrificën dhe kontributin e shumë brezave deri tek liria”.

Ai i uroi hasjanët për kullën, derisa potencoi se sakrifica e të rënëve dhe luftëtarëve të lirisë, do të mbijetojë shekujt!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore