Lajme

Haradinaj, krerëve të shtetit: Jepni ultimatum Serbisë për lirimin e policëve, në të kundërtën veproni me reciprocitet


Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga krerët e institucioneve shtetërore që t’i japin ultimatum Serbisë, për lirimin e zëvendësdrejtorit të Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviç, në të kundërtën, ai ka kërkuar që Kosova të veprojë me reciprocitet ndaj zyrtarëve serbë kur të hyjnë në territorin kosovar.

Këto komente, Haradinaj i ka bërë përmes një postimi në Facebook, derisa reagimin e krerëve të shtetit për këtë rast e ka konsideruar si inert.

“Reagimi inert dhe vetëm deklarativ shtetëror i Kosovës për arrestimin e Zv. Drejtorit Jankoviç dhe policëve të Kosovës në Serbi, shpërfaq mungesën e mbështetjes serioze dhe pasigurinë për pjesëtarët e komunitetit serb në institucionet e sigurisë së Kosovës”, shkroi Haradinaj.

Qeveria, Presidenca, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Punëve të Jashtme, ka theksuar kreu i AAK-së, “do duhej të japin ultimatum të prerë për lirimin e menjëhershëm të tyre, në të kundërtën edhe Kosova do të veprojë me reciprocitet ndaj pjesëtarëve të institucioneve të sigurisë të Serbisë, kurdo që hyjnë në territorin e Kosovës”.

Ndryshe, para pak çastesh, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se katër zyrtarë policorë të Kosovës, janë liruar ndërsa zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviç, vazhdon të jetë në mbajtje nga autoritetet serbe.

Lajmin e ka bërë të ditur Kurti, gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës.

“Tashmë katër zyrtarë policorë janë liruar, por zëvendësdrejtori i Policisë vazhdon të mbahet në burg”, tha Kurti.

Kryeministri theksoi se me ndalimin e qytetarëve të Kosovës në pikat kufitare të Serbisë, Beogradi shkeli një sërë marrëveshjesh.

“Duke përfshirë marrëveshjen e korrikut të vitit 2011 për lëvizje të lirë të qytetarëve, marrëveshjen e nëntorit të vitit 2022 për lëvizje të lirë me karta të identitetit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe marrëveshjen bazike të shkurtit të vitit 2023 në Bruksel për normalizim marrëdhëniesh dhe fqinjësi të mire”, ka thënë Kurti.

Ai shtoi se ky veprim kujtoi veprimet e hidhura të ish-presidentit fashist serb, i njohur si “Kasapi i Ballkanit”, Sllobodan Millosheviç-it në vitet 1998-1999.

“Ndalimi dhe mbajtja arbitrare e pabazë dhe keqtrajtimi i qytetarëve të Kosovës nga ana e Serbisë, vetëm e vetëm sepse e përdorin Serbinë si vend tranzit na risolli kujtimet e hidhura të Serbisë së Millosheviçit, duke na rikujtuar kështu se ajo mbetet e njëjta ngase udhëhiqet nga një ish vartës i tij”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore