Lajme

Haradinaj kërkon me urgjencë nga Kurti publikimin e plotë të marrëveshjes për targat


Krytari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Hardinaj ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të bëjë menjëherë publikimin e tekstit integral të marrëveshjes për targat.

Ai ka thënë se nëse është e vërtetë se Qeveria ka pranuar të trajtoj veriun më ndryshe se pjesën tjetër të vendit, për AAK-në është e pa-pranueshme.

“Nëse është e vërtetë se qeveria ka pranuar ta trajtojë ndryshe veriun nga pjesa tjetër e Kosovës, kjo për ne është krejtësisht e papranueshme dhe e dënueshme. Karakteri unitar i shtetit nuk mund të preket”.

Haradinaj tutje ka thënë se janë të indinjuar për barazimin e Policisë së Kosovës me grupet kriminale në veri, madje është goditje për sovranitetin e vendit.

“Po ashtu, jemi të indinjuar me barazimin që i është bërë policisë speciale të Kosovës me grupet kriminale që kanë bllokuar rrugët në veri. Njëjtësimi i tërheqjes së grupeve kriminale me tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës është ofendim dhe goditje për sovranitetin e Kosovës!”

Kompetencë e organeve të sigurisë është ruajtja e rendit edhe në veri, dhe se misioni i KFOR-it nuk është ky, por ai ushtarak. Kjo për Haradinajn nuk përbën progres por regres.

“Pajtimi që KFOR të marrë nën kontrollë ruajtjen e rendit në veri, kur kjo është kompetencë ekskluzive e organeve shtetërore të rendit e kur misioni i KFOR është ushtarak, është kthim prapa dhe koncesion ndaj Serbisë e me pasoja të rënda për Kosovën”.

Obligim i kryeministrit është që të sqaroj çdo detaj të marrëveshjes. Raportimi në Kuvend për marrëveshjen duhet të ndodh “urgjentisht” ka thënë ai.

“Kryeministri e ka për detyrë të sqarojë popullin për çdo detaj të kësaj marrëveshjeje dhe urgjentisht të raportojë në Kuvendin e Kosovës”.

Lideri i AAK-së ka thënë se askush nuk mund të nënshkruaj marrëveshje në dëm të Kosovës.

“Askush nuk ka mandat të nënshkruaj kurrëfarë marrëveshjeje që mund të jetë në kundërshtim me sovranitetin e vendit!”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Çitaku: Marrëveshja barazon ligjin me huliganizmin

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe ish-ambasadorja në SHBA, Vlora Çitaku, ka reaguar pas arritjes së marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Ajo ka thënë se një marrëveshje e tillë për targat, ishte arritur qysh në vitin 2016.

Çitaku tutje ka thënë se pjesa më shqetësuese e marrëveshjes së arritur është se barazon zbatimin e ligjit nga pala e Kosovës me huliganët që ngrenë barrikada.

“Pjesa më shqetësuese është se kjo marrëveshje barazon zbatimin e ligjit nga Kosova me huliganët që ngrenë barrikada”, ka shkruar Çitaku në Twitter.

Arrihet marrëveshja mes Kosovës e Serbisë për targat

Marrëveshja e arritur përmban tre pika.

Pika 1: “Forcat e njësisë speciale të Policisë së Kosovës të vendosura në Jarinjë e Bërnjak, do të largohen njëkohësisht me bllokadat në rrugë, më 2 tetor në orën 8:00 dhe gjithë kjo tërheqje do të përfundojë maksimalisht deri në orën 16:00. KFOR-i do të vendoset në Jarinjë e Bërnjak para se të nisë largimi i sinkronizuar dhe do të qëndrojë për dy javë për të mbajtur ambient të sigurt dhe lëvizje të lirë”

Pika 2: “Nga 4 tetori, do të nisë së zbatuari regjimi i letrave ngjitëse, siç është rënë dakord në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE si një masë e përkohshme derisa të arrihet një zgjidhje e përhershme”.

Pika 3: “Do të krijohet një grup pune i përfaqësuesve të partive të BE -së, Beogradit dhe Prishtinës, dhe i kryesuar nga BE -ja për të gjetur një zgjidhje të përhershme për çështjen e targave bazuar në standardet dhe praktikat e BE -së. Takimi i parë i grupit punues do të mbahet më 21 tetor 2021 në Bruksel. Brenda gjashtë muajve, prej nisjes së takimit të parë, i ashtuquajtur Grup Punues, do të prezantojë gjetjet për një zgjidhje të përhershme në formatin e dialogut të nivelit të lartë”.

I dërguari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak në takim me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi dhe kryenegociatoin serb, Petar Petkoviç- Bruksel

Kurti: Me heqjen e bllokadave, njësitë speciale s’kanë pse qëndrojnë në Veri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka komentuar marrëveshjen me Serbinë lidhur me reciprocitetin për targa. Ai ka thënë se meqë bllokada po largohet, njësitë speciale s’kanë pse qëndrojnë në Veri.

“Meqë ata do të largohen, njësia jonë speciale nuk ka pse qëndron atje, dhe mbetet gjithnjë e gatshme për ndërhyrje në çfarëdo cenimi të njëjtë apo të ngjashëm në të ardhmen. Natyrisht, policia jonë kufitare në vijim do të zbatojë reciprocitetin e targave. KFOR-i do të qëndrojë aty, rreth dy javë, që gjithçka të jetë e sigurt”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Ndërsa ka deklaruar se meqë targave të Kosovës në Serbi do t’iu mbulohet simboli shtetëror, të gjitha targave të Serbisë pa dallim do t’iu mbulohet po ashtu simboli i tyre në territorin e shtetit tonë.

“Reciprociteti i targave të automjeteve është vendosur. Meqë targave të Republikës së Kosovës në Serbi do t’iu mbulohet simboli shtetëror, të gjitha targave të Serbisë pa dallim do t’iu mbulohet po ashtu simboli i tyre në territorin e shtetit tonë”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore