Lajme

Haradinaj kërkesë Qeverisë: Investoni në gazsjellës e termocentral të ri me qymyr


Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramnush Haradianaj.

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramnush Haradianaj, i ka bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti, të ndërmarrë disa veprime për tejkalim të krizës ekonomike.

Njëra ndër to është që të investohet edhe në gazsjellës edhe në ndërtimin e një termocentrali të ri me qymyr.

“Kryeministër, dil nga rrethimi! Rriti pagat me ligj; Investo në gazsjellës; Ndërto një termocentral me qymyr; Kthe investimet kapitale duke rrit vlerën e kontratave në bazë të rritjes së kostos; Jepi subvencionet për bujqësi menjëherë; Fto biznesmenët e Kosovës dhe ata shqiptarë kudo që jetojnë për investim të përbashkët; Ktheje shpresën se e ke mundësinë”, ka shkruar Haradinaj në ‘Facebook’.

Haradinaj më herët kishte thënë se nënshkrimi i marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Korporatës amerikane Sfidat e Mijëvjeçarit në fushën e energjetikës ka shuar shpresat e kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinajt, i cili ka deklaruar se ai besonte që ky granti me vlerë prej 202 milionë dollarëve do të investohej për ndërtimin e projektit amerikan të gazsjellësit.

Më 30 shtator, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka bërë të ditur se Kosova nuk do të vazhdojë përpara me projektin për ndërtimin e infrastrukturës për gazjellësin në Kosovë, të financuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Rizvanolli këtë vendim e ka arsyetuar se “Kosovës i duhen më shumë informata për të qenë e sigurt se ndërtimi i infrastrukturës së gazit është opsioni më i mirë për tranzicionin tonë energjetik, ndërsa nga ana tjetër MCC-ja ka afate kohore strikte për zhvillim dhe nënshkrim të programit të kontaktit”.

Në maj të këtij viti, Korporata e Sfidave të Mileniumit (MCC), ka shfaqur interesim për të dialoguar me qeverinë e Kosovës për projektin e gazpërçuesit Greqi – Maqedoni e Veriut – Kosovë, por, kjo e fundit nuk ka ndërmarrë ndonjë hap për ta shtyrë atë përpara.

Ndryshe, ndërlidhja e Kosovës me tubacionin e gazit që kalon në Greqi – Maqedoni të Veriut është një nga projektet e përfolura energjetike të Kosovës, si dhe një ndër opcionet për të ardhmen energjetike të vendit.

Kosova prodhon energji duke përdorur djegien e thëngjillit, që llogaritet si një prej kontribuuesve kryesorë në ndotjen e ajrit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore