Kosova

Haradinaj kërkesë komunitetit shqiptaro-amerikan: Angazhohuni më shumë për jetësimin e dialogut strategjik me Amerikën


Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë vizitës së tij në SHBA.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, gjatë përmbylljes së vizitës së tij zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), është takuar me komunitetin shqiptaro-amerikan nga të cilët ka kërkuar angazhim më të madh për Kosovën.

Ai përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka thënë se ka kërkuar përkrahjen e tyre edhe për anëtarësimin e Kosovës në NATO.

“I kërkova që në rrethanat e tanishme nëpër të cilat po kalon Kosova, të angazhohen edhe më shumë që të jetësojmë dialogun strategjik me Amerikën dhe mbi të gjitha anëtarësimin e Kosovës në NATO”.

“Ju thashë me bindje të plotë se angazhimi i tyre për çështjen kombëtare do të vlerësohet ndër breza dhe se kontributi i tyre është dhe do të mbetet pjesë e historisë sonë”, ka shkruar Haradinaj.

Sipas tij, komuniteti shqiptaro-amerikan është shtyrja kryesore e kauzave për të drejtën shqiptare.

“U ndjeva mirë pranë tyre, teksa zhvilluam një diskutim të sinqertë dhe të hapur për zhvillimet në Kosovë dhe për çështjet me interes kombëtar”.

Më 2 shkurt, Haradinaj ka vizituar edhe Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra”.

Ish-kryeministri ka theksuar se në takim janë diskutuar zhvillimet politike në Kosovë dhe rajon, si dhe për rolin e rëndësishme të diasporës veçanërisht lobin shqiptaro-amerikan.

Ndërsa ka pohuar se anëtarësimi i Kosovës në NATO, është synimi kryesor, meqë kjo e bën Kosovën dhe rajonin më të sigurt dhe e ndihmon paqen në botë, gjithnjë krah ushtrive të vendeve demokratike në krye me Amerikën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore