Lajme

Haradinaj e quan “rrenë të kulluar elektorale” deklaratën e pushtetit se do t’i kursej 150 milionë euro për Autostradën e Dukagjinit


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ministri i Infrastrukturës Liburn Aliu dhe ish kryeministri Ramush Haradinaj.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj e ka quajtur “rrenë të kulluar elektorale”, deklaratën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili të premten tha se me anulimin e projektit të autostradës së Dukagjinit, janë duke ia kursyer Kosovës 150 milionë euro.

“Deklaratat bombastike të Qeverisë sikur me projektin e zgjerimit të rrugës Istog-Pejë-Deçan-Gjakovë-Prizren, qeveria po ia kursejka buxhetit të Kosovës 150 milionë euro, janë rrenë e kulluar elektorale”.

Haradinaj, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, është shprehur se kjo do të ndërtohet herët apo vonë.

“Me projektin e Autostradës së Dukagjinit, ka qenë e paraparë ndërtimi i një autostrade të re, sipas standardeve evropiane e jo vetëm harrnimi i rrugës ekzistuese edhe me dy shirita. Investimi i 90 milionë eurove vetëm për zgjerimin e rrugës ekzistuese, është një çmim shumë i lartë e mbi vlerën e tregut, dhe nuk i kursen buxhetit të Kosovës asgjë”.

Ai shtoi se, “përkundrazi, shpenzohen miliona euro dhe nuk zgjidhet problemi”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të premten ka deklaruar se autostrada e Dukagjinit do t’i kursej Kosovës miliona euro.

Kurti, këtë e deklaroi nga vizita që pati në Gllarevë gjatë ditës para mediave e më pas duke e shpërndarë deklaratën e tij në rrjetin social ‘Facebook’.

“Në Gllarevë, për të parë nga afër fillimin e punimeve në 3 llote të segmentit Kijevë-Dollc, me gjatësi 10.9 kilometra, me një kosto prej më pak se 21 milionë euro, në kuadër të zgjerimit të rrugës nacionale N9”.

“Pas këtij segmenti, vjen ai Dollc-Zahaq, për të cilin do të bëhet hapja e procesit për tenderim në muajin maj. Rruga Kijevë-Zahaq do të bëhet, me cilësi më të lartë, projektim e përgatitje më të mirë, dhe atë për 150 milionë euro më lirë se projekti paraprak të cilin e kemi anuluar. Nga 240 milionë euro sa kushtonte atëherë kur nuk po realizohej, tash po realizohet me 90 milionë euro”, ka shkruar Kurti.

Autostrada që lidh qytetet Istog – Pejë – Deçan – Gjakovë dhe Prizren, apo siç njihet ndryshe “Autostrada e Dukagjinit” ishte paraqitur në projektligjin e buxhetit për vitin 2021.

Për këtë autostradë, në projektbuxhet ishin paraparë 200 mijë euro, kurse nga 200 mijë euro të tjera janë paraparë edhe për vitin 2022 dhe 2023, që në përgjithësi i bie 600 mijë euro.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore