Kosova

Haradinaj e quan “njeri të rekrutuar nga armiku” kryeministrin e Kosovës


Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, në një intervistë për agjencinë kosovare të lajmeve “Ekonomia Online” të dielën, ka akuzuar kryeministrin kosovar, Albin Kurti, duke e konsideruar “njeri të rekrutuar nga armiku”. Gjithashtu, ai ka ngritur “dyshime” se lideri i Lëvizjes Vetëvendoje (LVV) edhe mund të jetë financuar nga Serbia.

“Ai ka qenë në mision tek armiqtë, ata e kanë ndihmuar për t’u ngritur në pozitë. Ai edhe financimet i ka të dyshimta, ai ka transaksione nga Serbia… Në Kosovë kemi vetëm një detyrë, pra largimin e një kryeministri që është rekrutuar nga Serbia”, ka pretenduar ai, por nuk ka dhënë asnjë provë.

Kjo nuk është hera e parë që Haradinaj e akuzon kreun e ekzekutivit kosovar për “tradhti” ndaj interesave kombëtare të Kosovës, posaçërisht sa i përket rrjedhës aktuale në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE).

Ndryshe, para një jave, kreu i AAK-së ka deklaruar se Kurti mund të ketë marrë “obligime” nga Serbia pas lirimit nga burgu më 2001. Në të kaluarën, ish-kryeministri i Kosovës ka ngritur gjithashtu pretendime se lideri i LVV-së ka qenë në një lidhje dashurie me vajzën e një ish-ministri serb.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore