Lajme

Haradinaj: Anëtarësimi i menjëhershëm në NATO, zgjidhja për Kosovën


Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj.

Sipas Kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, anëtarësimi i menjëhershëm i Kosovës në NATO është zgjidhja që situata të mos dalë jashtë kontrollit.

Këto komente, Haradinaj i bëri përmes një postimi në Facebook, dy ditë pas paralajmërimit të Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, se Rusia mund të krijojë “kriza të reja” në Ballkan.

“Ftesa për Kosovën në NATO, anëtarësimi i menjëhershëm dhe i plotë është zgjidhja. KFOR ta angazhojë FSK-në në patrullime të përbashkëta dhe të bashkëpunojnë ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in”, ka shkruar Haradinaj.

Lexo edhe këtë: Paralajmërimi i Zelensky-t dhe konfirmimi i BE-së

Ish-kryeministri Haradinaj bëri thirrje që të gjitha institucionet e sigurisë të bashkohen “për të mos lejuar që situata të dalë jashtë kontrolli, si në aspektin politik, të sigurisë dhe në ekonomi”.

“Kosova në NATO, është zgjidhja tani! Agresioni rus ndaj Ukrainës e konfirmon këtë”, përfundoi.

Por, çka paralajmëroi saktësisht Zelensky?

Gjatë një bashkëbisedimi me disa gazetarë në Afrikë të enjten, presidenti ukrainas alarmëroi se Rusia mund të krijojë “kriza të reja” në Ballkan dhe Moldavi, në mënyrë që, siç thotë ai, të largojë vëmendjen e botës nga lufta në Ukrainë.

“Sot të gjithë po diskutojnë për krizën në Lindjen e Mesme. Por, siç e kam thënë sinqerisht, ky nuk është problemi i djeshëm. Dhe jo problemi i pardjeshëm. Të gjithë e dinë për këtë konflikt të vazhdueshëm dhe luftë të vazhdueshme, por askush nuk dëshiron të përfundojë. Meqenëse është e përshtatshme – në një moment, thjesht merrni përsëri këtë mekanizëm. Ky është një shpërthim në Lindjen e Mesme, Rusia qëndron pas kësaj, ne jemi të sigurt, me aleatët e tyre Iranin”, ka thënë Zelensky.

“Kini kujdes Ballkanit”, paralajmëroi ai, “më besoni, po marrim informacione: Rusia ka një plan të gjatë, Lindja e Mesme, do të jetë Ballkani, të paktën, nëse shtetet e botës nuk bëjnë asgjë tani, do të ketë një shpërthim të tillë, përsëri”.

Volodymyr Zelensky

Sipas tij, Rusia është sërish e interesuar të devijojë ndihmën që po i bëhet Ukrainës nga vendet perëndimore pas agresionit rus.

“Kur doni të ndihmoni një vend ose filloni ta ndani këtë ndihmë dhe vëmendje midis shumë vendeve, shumë sfidave, shumë sfidave humanitare”, tha Zelenskyy.

“Moldavia. Tani ata kanë filluar të minojnë situatën në Moldavi. Për të treguar se diçka nuk ishte në rregull atje gjatë zgjedhjeve. Për të njohur zgjedhjet si antikushtetuese. Për të shembur përsëri qeverinë aktuale. Për të shkatërruar qeverinë që është pro-evropiane”, beson presidenti ukrainas.

Këto paralajmërime të presidentit ukrainas vijnë në një kohë kur vendet perëndimore me një angazhim – të pa parë deri më tani – po bëjnë përpjekje maksimale që të arrijnë një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë.

Sa i përket çështjeve të sigurisë, Ballkani kohëve të fundit është përballur me sfida që mund ta rrezikonin seriozisht të gjithë rajonin.

Rasti konkret është ai i 24 shatorit në Banjë të Zveçait, ku një grup terrorist sulmoi Policinë e Kosovës duke lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Për këtë ngjarje, Kosova akuzoi drejtpërdrejt Serbinë – një aleate historike e Rusisë.

Nga ana tjetër, Bonje e Hercegovina vazhdimisht po kërcënohet nga Presidenti i Republikës Srpska – entiteti serb në BeH – Millorad Dodik – një aleat i Vladimir Putinit të Rusisë – për shkëputje të këtij etniteti nga BeH.

Po ashtu, kohëve të fundit, frika për de-stabilizim është rritur edhe në një vend tjetër të rajonit.

Fjala është për Malin e Zi. Kjo për faktin se pjesë e qeverisë së re malazeze është edhe koalicioni “Për Ardhmërinë e Malit të Zi” – të njohur për orientimin e tyre pro rus.

Madje, njërit prej krerëve të këtij koalicioni, liderit të “Demokracisë së Re Serbe”, Andrija Mandiç, i është dhënë posti i Kryetarit të Kuvendit të Malit të Zi.

Mandiç e konsideron Putinin si president të tij.

Si duhet lexuar paralajmërimi i Zelensky-it për “kriza të reja” në Ballkan?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore