Haradinaj: AAK-ja është partia me mbështetjen më të madhe në Gjermani

SHFLETO

Ramush Haradinaj

 

Armat Matoshi
19.05.2024 20:57
Loading Icons...

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, derisa njoftoi në “Facebook” për një vizitë të realizuar në Gjermani të dielen, deklaroi se AAK-ja është partia me mbështetjen më të madhe në këtë shtet, duke pretenduar se kjo mbështetje është duke u rritur çdo ditë.

“Aleanca është partia me mbështetjen më të madhe në Gjermani falë angazhimit e përkushtimit të strukturave të saj. Mbështetja për koalicionin e prirë nga Aleanca është e jashtëzakonshme dhe po rritet çdo ditë”, shkroi ish-kryemnistri i Kosovës, derisa vlerësoi kontributin e diasporës për Kosovën.

“Për mua dhe Aleancën, bashkatdhetarët janë pjesë e rëndësishme në çdo proces për vendin. Ashtu siç kishin rolin e tyre jetik për lirinë e Atdheut, shtetformimin e shtetndërtimin, ata janë pjesë e jona e pandarë në përkushtimin tonë për ta sjellë ndryshimin dhe për ta orientuar Kosovën drejt zhvillimit dhe integrimit euro-atlantik”, shtoi mes tjerash kreu i AAK-së.

E vizita e kryetarit të AAK-së në shtetin gjerman vjen në një kohë kur partitë politike veçse kanë nisur të mobilizohen për shkak të mundësisë së zgjedhjeve të reja – mandati katërvjeçar i ekzekutivit aktual përfundon në shkurt të vitit 2025 – ndërkohë që për shkak të zhvillimeve aktuale, mundësia e zgjedhjeve të parakohshme gjatë këtij viti nuk mund përjashtohet.