Kosova

Hapja e urës s’është kërcënim për sigurinë, prania e KFOR-it mbi urë është e panevojshme – thotë Konjufca


Glauk Konjufca

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, beson se hapja e urës kryesore mbi lumin Ibër për qarkullimin e automjeteve “nuk është kërcënim për sigurinë” dhe se “prania ushtarake e KFOR-it në atë urë është e panevojshme”.

“Nuk ka kurrfarë potenciali për të eskaluar situata”, tha Konjufca në një intervistë për Klan Kosova, ndërsa potencoi se “hapja e kësaj ure është një domosdoshmëri, është një domosdoshmëri e cila ka qenë vite me radhë”.

“Jemi vonë sa i përket hapjes së urës. Është dashur që kjo urë të mos mbyllet fare”, shtoi ai, në emisionin “DPT TE FIDANI”.

Numri dy i Lëvizjes Vetëvendosje vlerësoi se Qeveria e Kosovës është e përcaktuar për t’u koordinuar me bashkësinë ndërkombëtare për çështjen e Urës së Ibrit, por që koordinimi nënkupton, sipas tij, “bindja e të dyja palëve që prania ushtarake mbi atë urë është e panevojshme”.

“KFOR-i e ka shtuar praninë e saj mbi urë, që nuk është dashur të ndodhë, është diçka paradoksale, më duket absurde. Ne jemi të përcaktuar për koordinim, e koordinimi është që duhet të bindemi të dyja palët që prania ushtarake mbi atë urë është panevojshme”, vlerësoi ai.

Prania e ushtarëve në një urë, beson Konjufca, paraqet një lloj kufiri.

“Aty ku ekziston një prani ushtarake mbi një urë, nuk ka se si të duket ndryshe përpos një farë lloj kufiri. Me sa e di unë në Kosovë nuk ka kufi të brendshëm dhe nuk duhet. Ka pasë në të kaluarën fatkeqësisht, këta kufi janë mbajtur me dhunë nga strukturat paralele të Serbisë, strukturat paralele të Serbisë janë në çmontim e sipër në pjesën e veriut të Kosovës, edhe sundimi i ligjit po ndodhë në atë pjesë të territorit për herë të parë pas 20 e sa vitesh, kjo po i gëzon të gjithë qytetarët”.

Konjufca ndër të tjera potencoi se Qeveria e Kosovës i ka të gjitha kapacitetet “për t’i bindur bashkësinë ndërkombëtare edhe faktorët e rëndësishëm ndërkombëtar”, për hapjen e kësaj ure.

Qeveria e Kosovës në mes të korrikut njoftoi se synon të hapë urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

Megjithatë, vendet e QUINT-it deklaruan se nuk e mbështesin hapjen për trafik të Urës në këtë moment.

Ndërkohë Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, deklaroi se çdo vendim për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër duhet të merret në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Ndërkaq Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë të martën në një intervistë për “Radio Evropa e Lirë” se ekziston një rrezik real sa i përket hapjes së urës kryesore në Mitrovicë në këtë kohë, që mund të ndikojë seriozisht në sigurinë e ushtarëve të KFOR-it, duke përfshirë ata amerikanë.

“Ne e marrim shumë seriozisht çdo veprim që mund të ndikojë në sigurinë dhe mbrojtjen e ushtarëve amerikanë që punojnë për të mbështetur Kosovën”, ka theksuar Hovenier, krahas thirrjes për Qeverinë e Kosovës që mos të ndërmarrë veprime drejt hapjes së urës së Ibrit në këtë moment.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore