Shqipëria

Hapet rruga e re për në Rinas, Balluku: Aeroporti ka pësuar ndryshime të mëdha


Është hapur për qarkullimin e automjeteve rruga e re drejt aeroportit të Rinasit.

Kështu ka deklaruar ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, këtë të premte të 2 dhjetorit.

Ajo nga terreni u shpreh se kjo rrugë e re do të ndikojë në uljen e trafikut të mjeteve, të krijuar gjatë verës më së shumti, por jo vetëm.

“Ndodhemi në rrugën e re e cila krijon një unazë qarkulluese në aeroportin e Rinasit duke shfryrë kështu trafikun dhe gjithë problematikën që kemi pasur kryesisht gjatë sezonit veror për hyrjet dhe daljet nga parkingjet”.

Kështu në mes të rrugës nga qafa e Kasharit në drejtim të Rinasit ka një dalje të re djathtas, që dërgon një pjesë të trafikut, pra atë pjesë të trafikut që është e dedikuar vetëm për aeroportin e Rinasit.

Sipas Ballukut, me ndryshimin e koncesionarit, aeroporti i Rinasit ka pësuar ndryshime të mëdha pozitive dhe se lëvizjet dhe fluturimet në aeroport janë shtuar dukshëm vitin e fundit.

“Pas ndryshimit të koncesionarit aeroporti i Rinasit ka pësuar ndryshim të madh”, tha ajo.

Po ashtu, mbi 26 mijë fluturime janë realizuar gjatë 10 muajve të parë të 2022 dhe ka pasur 4.4 milionë pasagjerë deri në 30 tetor të këtij viti.

“Deri në fund të vitit do të kemi 5.2 milionë pasagjerë”, njoftoi Balluku.

Për të, aeroporti i Rinasit është një nga dy aeroportet më me rritje gjatë viti 2022.

Ndërtimi i rrugës

Ky devijim vjen pas protestës së banorëve të zonave përreth aeroportit të Rinasit për hapjen me dy drejtime të rrugës.

Asokohe, ministrja Balluku pa nga afër situatën në këtë aks dhe prezantoi ndërhyrjen që do të realizohet për t’i dhënë zgjidhje trafikut në këtë segment.

Kështu ARRSH nisi procedurën për ndërtimin e aksit të ri Kthesa e Kasharit-Fshati Ahmetaq-Rinas, që u hap sot.

Tërhiqet ARRSH – Në rrugën e Rinasit rikthehet lëvizja me dy sense

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore