Libra

Hapet Këndi Arkivor në Bibliotekën e Vlorës


Një “Kënd Arkivor” në Bibliotekën e Vlorës – me të njëjtin funksion si “Salla e Studimit” në Tiranë – është inauguruar nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë.

Ai do t’u shërbejë studentëve, akademikëve dhe publikut të gjerë për të bërë kërkime në këtë hapësirë studimore.

Ky kënd u krijua në bashkëpunim mes Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave me Bashkinë e Vlorës dhe Bibliotekën Publike “Shefqet Musaraj”.

Gjatë ceremonisë inauguruese morën pjesë drejtoresha e Evidencës Qendrore dhe Komunikimit në DPA, Elsa Saka, drejtoresha e Bibliotekës Publike Vlorë “Shefqet Musaraj”, Elma Rama, drejtoresha e Kabinetit të Bashkisë Vlorë, Paola Monçe, si dhe përfaqësues të tjerë nga Bashkia e Vlorës.

“Është një nismë që Drejtoria e Përgjithshme ka sjellë së fundmi, duke e sjellë këtë Kënd Arkivor në çdo bibliotekë të çdo qyteti”, tha Saka gjatë fjalës së saj.

Më tej, ajo bëri me dije se nuk do të ndalen vetëm në qytetin e Vlorës, “por të shtrihemi jo vetëm në Republikën e Shqipërisë, madje edhe jashtë kufijve.

“Sot jemi në Vlorë duke prezantuar këtë kënd, i cili është vetëm për efekte studimore. Kjo do të ofrojë për të gjithë studiuesit dokumente të aksesueshme njësoj si të ishin në sallën tonë të studimit në Tiranë”, u shpreh drejtoresha Saka.

Më pas, fjalën e mori drejtoresha e Bibliotekës Publike Vlorë, Elma Rama.

Ajo shprehu falënderim për Arkivin Qendror Shtetëror, duke e quajtur mundësi për qytetarët e Vlorës.

“Ata ta kenë sa më të lehtë aksesimin brenda mijëra dokumenteve që ata duan të shohin për efekte historike apo dhe efekte studimore, të arkivit të shtetit, qoftë për arsye personale të familjes apo studime të tjera akademike të studiuesve apo studentëve të Vlorës”, u shpreh Rama.

Gjithashtu u prezantua edhe Këndi Arkivor në Selenicë, i cili u hap pranë ambienteve të Bashkisë.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave me këtë iniciativë ka për qëllim shtrirjen e Këndeve Arkivore në sa më shumë qytete brenda dhe jashtë vendit, që aksesi mbi dokumente të jetë i njëjtë për të gjithë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore