Kosova

Hamza: Si kryeministër do të kërkoj drejtësinë e munguar për vëllezërit Bytyqi


Bedri Hamza

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, njëherit kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka bërë homazhe te varrezat e vëllezërve Bytyqi në New York.

“Tre vëllezërit Bytyqi janë rrëfim i sakrificës së madhe që do të mbetet përjetësisht në memorien kolektive të kombit shqiptar. Ata janë urë e përhershme e lidhjes ndërmjet shqiptarëve dhe Amerikës, të cilën ne e kemi obligim ta ruajmë”, ka shkruar ai në platformën sociale, Facebook.

Hamza ndër të tjera ka bërë të ditur se në rast se zgjidhet kryeministër i Kosovës “do ta kërkoj pareshtur drejtësinë e munguar për vëllezërit Bytyqi dhe të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë tonë”.

Ndryshe Hamza, gjatë qëndrimit për një vizitë zyrtare në SHBA-të, ka takuar të deleguarin e ri të SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof.

Hamza nëpërmjet një postimi në platformën sociale, Facebook, ka vlerësuar se takimi ka qenë tepër i “rëndësishëm dhe përmbajtjesor”.

“Ne u pajtuam për nevojën thelbësore për bashkëpunim, koordinim dhe parashikueshmëri në marrëdhëniet tona me SHBA-në, ndërsa unë e prezantova planin e qeverisjes sime të fokusuar në zhvillim të hovshëm ekonomik, me investime strategjike, me rritjen e mirëqenies së qytetarëve dhe anëtarësimin në NATO, ku mbështetja e SHBA-së do të jetë përcaktuese”, ka shkruar Hamza.

Hamza ndër të tjera ka potencuar se në Kosovë ka shumë punë për të bërë ndërsa është humbur shumë kohë, duke aluduar te puna gati katërvjeçare e Qeverisë aktuale të Kosovës.

“Takimin e përfundova me optimizëm që konfuzioni politik i qeverisjes në Kosovë dhe gabimet e njëpasnjëshme medoemos do të revidohen, që të fokusohemi në rezultatet konkrete për qytetarët tanë dhe jo në krijim të dramave që nuk sjellin asgjë, pos izolim dhe injorim”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore