Kandidati i Partisë Demokratike (PDK) për kryeministër të Kosovës, Bedri Hamza, duke njoftuar për takimet që realizoi në kuadër të një vizite të paparalajmëruar në Uashington, deklaroi se Shtetet e Bashkuara (SHBA) mbështesin pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.
Ai takoi diplomatin e lartë amerikan, Michael Carpenter, njëherësh Drejtor i Lartë për Evropë në Këshillin për Siguri Kombëtare (KSK) dhe Asistent Special i presidentit të SHBA-së, Joe Biden, por edhe Drejtoreshën për Ballkanin Perëndumor dhe Evropën Qendrore të KSK-së, Kathleen Larkin.
“Mesazhi që mora ishte i qartë: SHBA qëndrojnë pranë nesh dhe mbështesin pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës”, shkroi Hamza, duke shtuar se tani është koha për progres në konsolidimin e Kosovës drejt njohjes nga pesë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian (BE).
“Ne u pajtuam që tani është koha për progres në konsolidimin e Kosovës… drejt sigurimit të udhërrëfyesit për anëtarësim të Kosovës në Partneritet për Paqe (PfP) dhe përfundimisht në NATO e BE. Këto janë qëllimet strategjike për të cilat folëm gjerësisht”, nënvizoi kryetari aktual i Mitrovicës.
“Unë prezantova shkurtimisht vizionin dhe planin tim që Kosova të lëvizë më shpejt përpara drejt zhvillimit ekonomik, rritjes së pagave në sektorin publik, investimeve kapitale dhe rritjes së mirëqenies së qytetarëve. Për realizimin e të gjitha këtyre qëllimeve, partneriteti me SHBA është i rëndësisë jetike dhe për Kosovën e mua edhe i pazëvendësueshëm”, shtoi mes tjerash ai.
Vizita e kanditatit të PDK-së vjen në kohën kur marrëdhëniet midis administratës amerikane dhe Qeverisë së Kosovës janë pothuajse në gradën e fundit, posaçërisht për shkak të refuzimit të kryeministrin kosovar, Albin Kurti, që t’u përgjigjet pozitivisht kërkesave dhe këshillave të SHBA-së.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com