Hamza: Diskutuam për Urën e Ibrit në Uashington – partnerët strategjikë kanë qëndrim të qartë
Kryetari i Mitrovicës së Jugut dhe kandidati për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka thënë se gjatë vizitës së tij zyrtare në Uashington ka diskutuar edhe për hapjen e Urës së Ibrit.
Hamza, në një intervistë për Zërin e Amerikës ka thënë se qëndrimi i tyre është i qartë lidhur më këtë çështje që hapja e saj të bëhet në pajtueshmëri me KFOR-in dhe NATO-në.
“Është i qartë qëndrimi i partnerëve tanë strategjikë, që kjo çështje duhet të shkojë në partneriteti dhe në pajtueshmëri me KFORI-n, me NATO-n, me partnerët tanë strategjikë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e Bashkimit Evropian, jo të prodhohet në një situatë ku realisht mund të kemi tensione dhe realisht të kemi zhvillime të cilat e dëmtojnë më pas këtë çështje”, ka deklaruar Hamza.
I të njëjtit qëndrim është edhe Hamza.
Ai thotë se hapja e saj duhet të bëhet vetëm duke u bashkërenduar me aleatët strategjik.
“Duhet të ketë bashkëpunim, bashkërendim dhe koordinim edhe me faktorë të tjerë, në këtë rast edhe me NATO-n, që ka trupat e vet në kuadër të KFOR-it, me ambasadat në Kosovë, me diplomacitë e vendeve mike me qëllim që të mos shkaktohet një situatë që në vend që të ketë progres të lëvizim në regres dhe ku mund të kemi dhe të përballemi me një situatë e cila më pastaj do ta bllokonte urën për lëvizje për një kohë më të gjatë”.
I pyetur rreth zgjedhjeve Hamza, ka thënë se janë duke pritur që presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të dalë me një datë të saktë për mbajtjen e zgjedhjeve.
Sipas tij, ka qenë partia në pushtet që është tërhequr nga mundësia për të mbajtur zgjedhjet të parakohshme.
“Realisht partia në pushtet ka deklaruar se është e gatshme, por në fund kur ne si Parti Demokratike kemi dhënë mbështetjen për shpërndarjen e Kuvendit ka pasur një hezitim, një mos gatishmëri nga partia në pushtet që të shkohet në zgjedhje të parakohshme që kanë qenë të planifikuara në qershor apo në fillim të korrikut”.
“Prandaj ne presim që zgjedhjet të jenë në afat të rregullt ligjor, kushtetues dhe jemi duke u përgatitur që të dalim sa më mirë në zgjedhje dhe jemi optimist që do të kemi rezultat të mirë”.
Hamza takoi diplomatin e lartë amerikan, Michael Carpenter, njëherësh Drejtor i Lartë për Evropë në Këshillin për Siguri Kombëtare (KSK) dhe Asistent Special i presidentit të SHBA-së, Joe Biden, por edhe Drejtoreshën për Ballkanin Perëndimor dhe Evropën Qendrore të KSK-së, Kathleen Larkin.
Vizita e kandidatit të PDK-së vjen në kohën kur marrëdhëniet midis administratës amerikane dhe Qeverisë së Kosovës janë pothuajse në gradën e fundit, posaçërisht për shkak të refuzimit të kryeministrin kosovar, Albin Kurti, që t’u përgjigjet pozitivisht kërkesave dhe këshillave të SHBA-së.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com