Lajme

Hamasi shpall operacionin ushtarak në Izrael, për mbrojtjen e xhamisë Al-Aqsa


Grupimi i militantëve palestinezë Hamas, jo vetëm që ka marrë përsipër sulmet me mbi 7 mijë raketa në territorin izraelit dhe një inkursion nga toka, por ka bërë me dije po ashtu se ky është një operacion i mirëfilltë ushtarak.

Arsyeja, sipas grupimit, është mbrojtja e xhamisë Al-Aqsa dhe operacionin e kanë quajtur “Al-Aqsa Flood”.

Njoftimin për shtyp e ka bërë publik kreu i byrosë politike të Hamasit, Ismail Haniya.

Këto fjalë shkruhen në të:

Armiku që rrethon Gazën, ka planifikuar ta befasojë atë dhe të përshkallëzojë agresionin kundër popullit tonë në Rripin e Gazës, përveç zgjidhjes dhe agresionit që vazhdon çdo moment në Bregun Perëndimor, i cili kërkon të çrrënjosë popullin tonë dhe t’i dëbojë ata nga toka e tyre.

Kërkon të çrrnjosë krimet e okupimit kundër popullit tonë në vitet 1948, pasi ai qëndron pas të gjitha operacioneve të vrasjeve dhe atentateve atje, dhe vazhdimi i pushtimit për të mbajtur të burgosurit tanë për dekada dhe duke refuzuar marrëveshjet kur ai ri-arrestoi të çliruarit nga marrëveshje shkëmbimi.

Për të gjitha këto, ne po zhvillojmë një betejë nderi, qëndrese dhe dinjiteti për të mbrojtur Al-Aqsa, nën titullin e shpallur nga Vëllai i Përgjithshëm, Komandanti Abu Khaled Al-Deif, “Al-Aqsa Flood”.

Kjo “përmbytje” filloi në Gaza dhe do të shtrihet në Bregun Perëndimor dhe jashtë saj, dhe çdo vend ku populli dhe kombi ynë janë të pranishëm.

Çfarë ka ndodhur?

Sipas Policisë izraelite, shteti ndodhet aktualisht në “gjendje lufte” me militantët e Hamasit dhe 21 vatra aktive konfliktimesh dhe përballjesh kanë marrë jetë në rajonet jugore.

E gjitha, pasi militantët e Gazës hynë në territor izraelit, pas lëshimit të mbi 5 mijë raketave në 20 minuta, siç pretenduan ata vetë.

Ushtria izraelite thotë se është duke goditur objektiva në Rripin e Gazës në mes të një “vlerësimi të situatës”.

Në media sociale dhe kanale komunikimi ndërkaq po qarkullojnë video makabre, ku pretendohet se eksponentët e Hamasit kanë filluar hyrjet dhe bastisjet në shtëpi izraelite, duke shkaktuar viktima të shumta.

Ato megjithatë mbeten për t’u konfirmuar.

Teksa, edhe viktimat nga këto përballje aktualisht mbeten të paqarta, pasi aksion vijon gjerësisht dhe të dy palët po qëllojnë në mënyrë aktive drejt njëra-tjetrës.

Më parë, mijëra raketa u lëshuan drejt Izraelit, duke ndezur sirenat e sulmit ajror në të gjithë vendin.

Një person është vrarë dhe ka pasur raportime për shpërthime pranë Tel Avivit dhe zonave përreth Gazës.

Grupi militant palestinez Hamas ka marrë përgjegjësinë për sulmin, me krahun e tij të armatosur duke thënë se ka lëshuar 5 mijë raketa në 20 minuta.

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) thanë se grupi “kishte filluar një gjuajtje masive të raketave nga Rripi i Gazës në territorin izraelit” dhe se militantët kishin hyrë në territorin izraelit në “lokacione të ndryshme”.

Në deklaratë thuhej se shefi i shtabit të përgjithshëm po kryente një “vlerësim të situatës” dhe se Hamasi “do të përballet me pasojat dhe përgjegjësinë për këto ngjarje”.

Ai shtoi se banorëve në zonën përreth Rripit të Gazës u është kërkuar të qëndrojnë brenda, ndërsa civilëve në zonat jugore dhe qendrore “u kërkohet të qëndrojnë pranë strehimoreve”.

Nga agjencia e shpëtimit të Izraelit, Magen David Adom, u tha se një person kishte vdekur dhe 15 të tjerë u plagosën.

Pamjet nga agjencia e lajmeve Reuters tregojnë zjarrfikësit izraelitë që merren me flakët në qytetin e Ashkelon, ndërsa shtëllungat e dendura të tymit ngriheshin nga automjetet e djegura.

Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se shefat e sigurisë do të takohen si rezultat i sulmeve me raketa.

Një raport fillestar nga IDF tha se një “numër terroristësh” ishin infiltruar në territorin izraelit nga Rripi i Gazës dhe se banorëve në zonat përreth u është kërkuar të qëndrojnë në shtëpitë e tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore