Sport

Haller reagon për herë ta parë pas sëmundjes me kancer


Transferimi më i fundit i Borussia Dortmund-it, Sebastian Haller, ka marrë një lajm të keq ende pa filluar të luajë për skuadrën e tij të re.

Ish-sulmuesi i Ajax-it, pati shqetësime gjatë stërvitjes të së hënës, derisa në analizat e bëra, doli që ka kancer në testikuj.

Menjëherë pas këtij lajmi, Haller ka nisur kurimin, ndërsa ka reaguar me anë të një mesazhi në rrjetet sociale ku thekson se do të rikthehet edhe më i fortë.

 

“Dua t’i falënderoj të gjithë nga zemra për këto mesazhe kaq të ngrohta. Më kanë prekur shumë fjalët e fansave dhe ndjehem sikur nuk e meritoj të gjithë këtë vëmendje nga ta”, shkruan sulmuesi nga Bregu i Fildishtë.

“Por e di që falë jush do të jetë vetëm një provë tjetër në rrugën tonë. Shihemi së shpejti në fushë për të festuar triumfin e radhës”, shtoi ai.

“Ju falënderoj unë dhe familja ime, tani do të përqendrohem te rikuperimi për t’u rikthyer edhe më i fortë”, u shpreh Sebastian Haller.

Kujtojmë që 28-vjeçari u transferua në Dortmund vetëm para 13 ditësh nga Ajax-i për shumën e 31 milionë eurove.

Haller shkëlqeu në sezonin e kaluar me fanellën e Ajax-it, i cili shënoi 34 gola (11 në Ligën e Kampionëve) dhe nëntë asistime në 42 ndeshje në të gjitha garat.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore