Kosova

Haliti: Synimi i PDK-së është që t’i fitojmë zgjedhjet


Xhavit Haliti

Për Xhavit Halitin, deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), synimi i partisë së tij në zgjedhjet e ardhshme parlamentare është i qartë. të dalin të parët.

Këto komente, Haliti i ka bërë në një intervistë për agjencinë kosovare të lajmeve “KosovaPress”, pak ditë pas takimit të presidentes Vjosa Osmani, me krerët e partive politike, ku diskutuan për datën e zgjedhjeve të reja.

“Synimi i PDK-së është që të dalë e para në zgjedhje”, tha Haliti, derisa foli edhe për koalicionet eventuale paszgjedhore, në rast të mosfitores së zgjedhjeve.

“Koalicionet paszgjedhore janë sa për ta marrë hise të qeverisë ose të qeverisjes, por mendoj se nuk do të jetë e lehtë për PDK-në nëse nuk del e para në zgjedhje”, potencoi.

Ai ripërsëriti qëndrimin e PDK-së, si partia e vetme që nuk ka pasur dhe nuk ka vija të kuqe për asnjë parti tjetër politike në vend.

Megjithatë, Haliti mendon se partia që aktualisht ka pushtetin nuk do të dëshirojë koalicion me partinë kryesore opozitare.

“Ne kemi deklaruar se nuk kemi vija të kuqe me askënd, as me Vetëvendosjen nuk i ka deklaruar askush, por unë kam mendimin tim që VV-ja nuk do të jetë e interesuar që të jetë në koalicion me PDK-në”, shtoi.

“Sidoqoftë, unë si prej deputetëve që kam qenë pothuajse në të gjitha legjislaturat, mendoj se partitë serioze, partitë që duan pushtet kur nuk janë shumicë duhet të rriten, dhe për t’u rritur, në krahun e dikujt tjetër nuk mundesh”.

Në qoftë se nuk dalin të parët, Haliti ka bindjen se “duhet të jemi në opozitë”.

Ndryshe, zgjedhjet e ardhshme parlamentare priten që të mbahen në fillim të vitit 2025, atëherë edhe kur i përfundon mandati kësaj legjislature.

Partitë opozitare, njëzëri, në takimin me presidenten Osmani kanë propozuar që zgjedhjet të mbahen më 26 janar 2025, derisa nga pushteti ende nuk kanë propozuar asnjë datë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore