Lajme

Hakohen llogaritë e Ushtrisë Britanike, mbushen me postime kriptovalutash


Ushtria Britanike ka njoftuar se ka nisur një hetim për një shkelje të llogarive të saj në Twitter dhe YouTube ditën e hënë.

Personat e fshehur pas sulmit kompjuterik shpërndanin në llogaritë e degës ushtarake tokena të pandryshueshme (NFT) dhe kriptovaluta.

Llogaria zyrtare e Ushtrisë Britanike në Twitter kishte publikuar postime që promovonin NFT-të, ndërsa videot në lidhje me kriptomonedhën e lidhur me miliarderin e Tesla-s Elon Musk, u ngarkuan në llogarinë e saj në YouTube të dielën, njoftoi BBC.

E gjithë përmbajtja NFT dhe kripto është hequr nga të dyja llogaritë të dielën pasdite.

Një zëdhënës për “The Guardian” tha se Ushtria Britanike e merr “sigurinë e informacionit jashtëzakonisht seriozisht dhe po e zgjidh çështjen”, por nuk ofroi asnjë koment të mëtejshëm derisa ushtria të përfundojë hetimin e saj.

Është ende e paqartë se kush qëndron pas shkeljes.

NFT-të dhe kriptovalutat kanë shpërthyer në popullaritet gjatë viteve të fundit, por ekspertët kanë paralajmëruar se një fluks mashtrimesh po synojnë ata që nuk janë të njohur me industritë e reja.

Një raport nga kompania Atlas VPN zbuloi se, më shumë se 1.3 miliardë dollarë kripto, u vodhën vetëm në katër muajt e parë të vitit 2022.

Në vitin 2020, llogaritë në Twitter, që i përkisnin Musk, Bill Gates, Joe Biden, Kim Kardashian dhe figura të tjera të njohura, u thyen për të promovuar një mashtrim të dukshëm Bitcoin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore