Lajme

Haki Abazi jep dorëheqje nga Komisioni Hetimor për Energji


Haki Abazi.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Haki Abazi, ka dhënë dorëheqje nga pozita e anëtarit të Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022 në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike.

Ndërsa, ky komision ishte propozuar nga partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje.

“Po ju konfirmoj se ai nuk është pjesë më e këtij komisioni, ai nuk ka marrë pjesë edhe në mbledhjet e parë. Për këtë ne sot kemi paralajmëruar një njoftim për dorëheqjen e tij i cili do të lexohet në mbledhjen që do ta mbajmë sot në orën 14:00”, tha kryesuesi i këtij komisioni, Hajdar Beqa për Radio Televizioni i Kosovës.

Përbërja fillestare e komisionit nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), kishte deputetët Armend Muja, Haki Abazi, Arbër Rexhaj dhe Halil Thaçi.

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Armend Zemaj anëtar dhe deputetja Rezarta Krasniqi. Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), anëtare është deputetja Time Kadrijaj.

Nga Lista Serbe (LS) për anëtar është Ljubinko Karadziç, si dhe nga grupi multietnik për anëtare është Duda Balje.

Ndryshe, komisioni i cili do të konstituohet të mërkurën e 25 majit do të mund të nxjerr në pah problemet që i ka pasur Kosova me energjinë nga koha e ish UNMIK-ut, në vitin 2006 e që për lidershipin e Kosovës ishte kohë bisedimesh dhe parapërgatitje për statusin e Kosovës.

Më 5 maj, partitë opozitare dhe ato në pozitë janë dakorduar për formimin e dy Komisioneve Hetimore Parlamentare për Energjinë.

Njëri komision është sipas kërkesës së opozitës, për hetimin e menaxhimit të krizës në muajt e fundit, ndërsa tjetri me kërkesë të pushtetit, për çështjen e energjisë që nga viti 2006.

Kështu kishte bërë të ditur në një konferencë për media, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri.

“Pra, jemi pajtuar për formimin e dy komisioneve hetimore parlamentare. Ne nuk jemi kundër asnjë hetimi që mund të zbardh të vërtetat për atë së çfarë ka ndodhur. Ajo që është e rëndësishme është që tash kemi darkordim për këtë çështje”, deklaroi Tahiri para gazetarëve.

Ai shtoi se dy komisionet do të kenë agjendë dhe deputetë të ndryshëm, pra nuk interferojnë me njëra-tjetrën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore